Shqipëria Postuar më 12 September 2026, 11:37

Çfarë po ndodh me euron në Shtator? Këmbehet me 91,94 lekë, Meka: Inerci nga sezoni turistik

Nga Alida Lula

MEKA.png

Euro ka zbritur në 91,94 lekë, duke shënuar për herë të parë një nivel nën 92 lekë dhe një tjetër minimum historik në kursin e këmbimit me lekun. Eksperti I tregjeve financiare Elvin Meka, e lidh këtë zhvlerësim të euros me faktorët sezonalë. Oferta e lartë të valutës e nxitur nga turizmi, remitancat dhe flukset e tjera hyrëse në euro kanë sjellë forcim të lekut.

Kjo është një lloj inercie që vjen si pasojë e sezonit të pushimeve të verës. Kjo nuk do të thotë që do të kemi presione të tjera në drejtim të kursit të këmbimit, por këto do të jenë më të përmbajtura në nivele më të ulëta se sa ky zhvlerësim që pësoi monedha europiane në Korrik e Gusht dhe këtë pjesë të Shtatorit. Masa e zhvlerësimit të euros ishte sa gjithë 6-mujori i parë i vitit. Po shkohet drejt nivelit të zhvlerësimit që unë kisha parashikuar, sfidë do të ishte që deri në fundvit me pushimet e dimrit, të ruhet niveli 90,5 ose 91,5 nëse do të përmbahet, por nëse do të kalojë përtej kësaj pike, do të kemi thyrejen e kufirit psikologjik që do të hapte edhe probleme më të mëdha”- thotë Meka.

Por euro e dobët, nuk sjell vetëm përfitime, pasi për qytetarët që kanë të ardhura në këtë monedhë, apo familjet që marrin remitanca, vlera e tyre në lekë është më e ulët. Ndërkohë, eksportuesit po përballen me më shumë vështirësi, pasi të ardhurat e tyre në euro konvertohen në më pak lekë. Nga ana tjetër, importuesit dhe konsumatorët që blejnë produkte të importuara, mund të përfitojnë nga një euro më e lirë, pasi kostot e mallrave të blera në euro, mund të jenë më të ulëta.

Sa i takon monedhave të tjera kryesore, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, dollari amerikan, vijoi të forcojë pozitat në raport me lekun, ku këmbehet me 79,29 lekë ose 0,20 lekë më shumë. Paundi britanik këmbehet me 107,10 lekë dhe franga zvicerane zbriti me 0,23 lekë duke u këmbyer me 97,34 lekë në fundjavë. 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat