Analiza Postuar më 12 September 2026, 10:43

Kush paguhet më shumë? Hendeku i fortë i pagave sipas profesioneve, 82 mijë lekë diferencë

Nga Xhorxhina Deda

Public-Salary_1600x900.webp

Paga mesatare mujore bruto në Shqipëri arriti në 92,150 lekë në tremujorin e dytë të vitit 2026, duke u rritur me 9.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Por të dhënat sipas grup-profesioneve tregojnë diferenca të mëdha në nivelin e pagave, që arrijnë në mbi 82 mijë lekë në muaj mes kategorisë më të paguar dhe asaj me pagën më të ulët.

Në krye të renditjes qëndrojnë menaxherët, ligjvënësit, nëpunësit e lartë të administratës shtetërore dhe drejtorët ekzekutivë, me një pagë mesatare bruto prej 141,168 lekësh në muaj. Krahasuar me një vit më parë, paga e kësaj kategorie është rritur me 5.9%, nga 133,276 lekë.

Pas tyre renditen specialistët me arsim të lartë, me një pagë mesatare prej 119,152 lekësh, ose 7.5% më shumë se një vit më parë. Forcat e armatosura regjistrojnë një pagë mesatare prej 108,607 lekësh, ndërsa rritja vjetore për këtë kategori është vetëm 2%, më e ulëta mes grup-profesioneve të publikuara. Teknikët dhe specialistët në zbatim marrin mesatarisht 100,478 lekë në muaj, 8.6% më shumë se një vit më parë.
Nëpunësit, me një pagë prej 90,988 lekësh, qëndrojnë pak nën mesataren kombëtare. Më tej diferencat bëhen më të ndjeshme. Punonjësit e shitjeve dhe shërbimeve paguhen mesatarisht 71,410 lekë, ndërsa punonjësit e montimit dhe përdorimit të makinerive e pajisjeve 71,135 lekë.

Ajo që bie në sy është se rritjet më të forta të pagave janë regjistruar pikërisht në disa prej profesioneve me paga më të ulëta. Zejtarët dhe artizanët kryesojnë me një rritje vjetore prej 16%, duke e çuar pagën mesatare në 70,811 lekë. Pas tyre vijnë punëtorët në profesionet elementare, me rritje 15.1% dhe pagë 61,933 lekë, si dhe punonjësit e montimit dhe përdorimit të makinerive, me rritje 14.3%.

Edhe punonjësit e shitjeve dhe shërbimeve kanë shënuar një rritje të konsiderueshme, prej 12.7%, ndërsa paga e punonjësve të kualifikuar të bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit është rritur me 12.6%. Megjithatë, kjo e fundit mbetet kategoria me pagën mesatare më të ulët, me vetëm 58,569 lekë në muaj.

Kështu, mes kategorisë më të paguar dhe asaj më pak të paguar krijohet një diferencë prej rreth 82,600 lekësh në muaj. Mesatarisht, një menaxher, drejtues i lartë apo drejtues ekzekutiv rezulton të marrë rreth 2.4 herë pagën e një punonjësi të kualifikuar në bujqësi, pyje apo peshkim.

Paga mesatare mujore bruto sipas grup-profesioneve ekonomike.pngNdryshimi vjetor i pagës mesatare mujore bruto sipas grup-profesioneve.png

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat