Analiza Postuar më 31 October 2026, 09:10

Gjysma e huasë, “për një çati”/ Kreditë për banesa arrijnë nivelin më të lartë. Leku fiton terren

Nga Scan TV

Gjysma e huasë, “për një çati”/ Kreditë

Kredia për blerjen e një banese po rritet me ritme shumë më të shpejta se huadhënia në tërësi. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se vetëm gjatë shtatorit 2026 bankat dhanë 6.14 miliardë lekë kredi të reja për banesa, niveli më i lartë për këtë muaj në serinë e viteve 2016-2026.

Krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar, kur kreditë e reja për shtëpi ishin rreth 4.75 miliardë lekë, rritja arrin në 29.1%. Në një horizont më të gjatë, zgjerimi është edhe më i fortë. Në shtator 2016 bankat kishin dhënë vetëm 1.78 miliardë lekë kredi për banesa, çka do të thotë se brenda një dekade shuma mujore është bërë afro 3.5 herë më e lartë.

Edhe kredia për individët vijoi të zgjerohet me ritme të forta. Në shtator 2026, individët morën 13.1 miliardë lekë kredi të reja, nga 9.53 miliardë lekë një vit më parë, ose 37.4% më shumë. Brenda kësaj shume, kreditë për blerje banesash zunë afro 47%, duke konfirmuar peshën e lartë që financimi i shtëpive po merr në huamarrjen familjare.

Një tjetër zhvillim i fortë është orientimi drejt monedhës vendase. Kreditë e reja për banesa në lekë arritën në rreth 5.44 miliardë lekë, kundrejt 3.65 miliardë një vit më parë, duke u rritur me rreth 49%. Në të kundërt, financimi për banesa në euro ra nga rreth 1.11 miliardë në 697 milionë lekë ekuivalent, ose me afro 37%.

Ndërkohë, kredia e re totale në ekonomi u rrit shumë më ngadalë. Në shtator bankat dhanë 35.22 miliardë lekë hua të reja, vetëm 2.9% më shumë se një vit më parë.

Të dhënat tregojnë kështu një ndryshim të qartë në strukturën e kreditimit. Ndërsa huadhënia e përgjithshme po rritet me ritëm të moderuar, individët dhe veçanërisht kreditë për banesa po marrin gjithnjë e më shumë peshë në financimin e ri bankar.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat