Analiza Postuar më 31 October 2026, 09:28

Saranda lë pas Durrësin për pasagjerët/ Porti jugor përqendroi 48.4% të udhëtarëve në tremujorin e tretë

Nga Scan TV

Saranda lë pas Durrësin për pasagjerët/ Porti jugor

Transporti detar në Shqipëri ka shënuar rritje gjatë tremujorit të tretë të vitit 2026, si në volumin e mallrave të transportuara, ashtu edhe në numrin e pasagjerëve që kanë përdorur portet e vendit. Të dhënat tregojnë se porti i Durrësit vijon të mbajë peshën kryesore në transportin detar të mallrave, ndërsa Saranda kryeson për lëvizjen e pasagjerëve.

Sa i përket lëvizjes së udhëtarëve, gjatë tremujorit të tretë të vitit 2026, nëpërmjet porteve detare në Shqipëri kanë udhëtuar gjithsej 955,988 pasagjerë. Porti i Sarandës ka regjistruar numrin më të lartë, me 48.4% të totalit të udhëtarëve, i ndjekur nga porti i Durrësit me 42.6% dhe ai i Vlorës me 9%.

Nga ana tjetër, gjatë periudhës korrik-shtator 2026, nga porti i Durrësit janë transportuar rreth 2.3 milion ton mallra, duke përfaqësuar 95.8% të volumit të përgjithshëm të mallrave të transportuara përmes porteve detare në vend. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, volumi i mallrave në këtë port është rritur me 9.7%, duke konfirmuar rolin e tij dominues në transportin detar dhe në shkëmbimet tregtare të Shqipërisë.

Për sa i përket strukturës së mallrave të transportuara, peshën më të madhe e zënë produktet e industrisë së naftës dhe ato metalurgjike. Konkretisht, grupi i mallrave "Koks dhe produkte të rafinuara të naftës" përfaqëson 17.5% të volumit të përgjithshëm, i ndjekur nga "Metale bazë dhe produkte metalike të fabrikuara" me 15.6%. Ndërkohë, produktet e tjera minerale jometalike zënë 12.5%, ndërsa grupi "Qymyr dhe linjit, naftë bruto dhe gaz natyror" përbën 11.4%.

Edhe tregtia e mallrave përmes transportit detar ka regjistruar ecuri pozitive. Gjatë tremujorit të tretë 2026, volumi i mallrave të tregtuara përmes detit pësoi një rritje prej 6.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Transporti detar vijon të ketë një peshë të rëndësishme në tregtinë e jashtme të vendit. Sipas të dhënave, volumi i mallrave të eksportuara përmes detit përbën 41.7% të totalit të eksporteve në peshë, ndërsa për importet kjo përqindje arrin në 66.1%.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat