Shqipëria Postuar më 11 September 2026, 13:51

Banesat pa pronar - Avokati: Në emër të kujt bëhet legalizimi? Hiqen pengesat e gjykatave

Nga Elisabeta Dosku

Banesat pa pronar - Avokati: Në emër të kujt bëhet

Banesat që kanë më shumë se një pretendim për pronësinë, do të hyjnë në procesin e legalizimit, pavarësisht se nuk ka një vendim gjykate që përcakton pronarin e saj.  Në një intervistë për SCAN, Avokati Fabjan Mehmeti, sqaron risitë e draftligjit, ndërsa thekson se në këtë rast legalizimi do kryhet pa një emër pronari dhe pas vendimit të gjykatës,  prona do t’i kalojë në pronësi atij që ka fituar gjyqin.

"Shumë prona të cilat nuk janë të legalizuara do të legalizohen por pa emër pronari në procesin e legalizimit dhe do të pritet deri në momentin kur konflikti të zgjidhet midis ndërtuesit dhe poseduesit ose personave të tretë në gjykatë. Për shembull ta thjeshtësojmë, nëse për një njësi tregtare ose apartament ka mosmarrëveshje, në rast kur apartamenti është shitur tre herë për shembull dhe mosmarrëveshja qëndron në gjykatë. Kjo pronë do të legalizohet dhe do të rrijë pa pronar, dhe do të pritet përfundimi i procesit gjyqësor. Në momentin kur gjykata të përcaktojë të drejtën e pronësisë midis tre palëve që janë në gjyq,  atëherë në bazë të vendimit të gjykatës legalizimi do të ketë emrin e pronarit. Akti i legalizimit do të ketë emrin e pronarit. Kjo është një risi shumë e rëndësishme pasi kërkon që t'i japë fund procesit të legalizimeve dhe të mos presë përfundimin e proceseve gjyqësore të cilat zgjasin me vite.”

Nga ana tjetër, eksperti ndalet edhe tek ndryshimet ligjore që lidhen për përshpejtimin e procesit të legalizimeve kur ekziston një plan zhvillimor, duke theksuar përfitimet që do të kenë qytetarët.

"Kjo është një risi e ligjit, e ndryshimeve ligjore dhe kuadrit legjislativ që parashikohet të hyjë së shpejti në fuqi dhe i jep të drejtën poseduesit të ndërtimit pa leje ta legalizojë dhe të jetë pronari i truallit ose i ndërtimit pa leje dhe në këtë mënyrë kur projekti që është parashikuar, projekt publik që është parashikuar në atë zonë të bëhet konkret, pronari që e ka legalizuar ndërtesën, ndërtimin pa leje, të ketë mundësi të shpronësohet. Domethënë të përfitojë nga prona që ai ka poseduar. Ka ndërtuar pa leje absolutisht, por që e ka poseduar në mënyrë të rregullt dhe shteti i ka dhënë të drejtën që ta legalizojë. Shpallet pronar dhe përfiton të drejtën e shpronësimit. Domethënë nuk e humbet pronën,  sepse projekti publik ka prevalencë mbi të gjitha ndërtimet dhe shteti ka të drejtë që me procesin e shpronësimeve të shpronësojë çdo lloj prone. Hyn në marrëdhënie private me pronarët, posedues të ligjshëm dhe i shpronëson. Në këtë rast ne nuk kemi një pronar posedues të ligjshëm dhe me anë të këtij aplikimi brenda 30 ditëve, kjo është procedura e legalizimit të përshpejtuar, subjekti, individi shpallet pronar, bëhet pronar dhe përfiton të drejtën e shpronësimit më mbrapa. Patjetër  që është e mundur sepse varet nga vullneti i institucioneve dhe angazhimi që do kërkohet, por si proces është teknikisht i mundur."

Referuar të dhënave zyrtare nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, gjatë periudhës 2006–2025, pra në një hark kohor prej 19 vitesh,  Drejtoritë Vendore të ASHK-së kanë kryer verifikimin teknik dhe ligjor të aplikimeve për legalizim, duke përfunduar me 291,114 vendime përfundimtare, dhe 6,082 aplikime të skualifikuara, për shkak të mosplotësimit të kritereve ligjore.  Pra e thënë ndryshe, në këtë periudhë janë legalizuar mbi 285 mijë ndërtesa informale.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat