Shqipëria Postuar më 12 September 2026, 11:00

Korça drejt gazifikimit, nisin studimet në terren/ Projekti pilot, alternativë e re për ngrohjen dhe energjinë

Nga Alida Lula

ChatGPT Image Sep 12, 2026, 11_44_00 AM.png

Korça pritet të konkretizojë modernizimin e infrastrukturës së saj energjetike. Në terren, kanë nisur investigimet gjeoteknike dhe gjeofizike për projektin e gazifikimit të qytetit, proces që shënon fazën e parë konkrete të këtij investimi strategjik.

Kryetari i Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo, e konsideron gazifikimin një projekt me rëndësi të veçantë zhvillimi, veçanërisht për përmirësimin e mënyrës së furnizimit me energji dhe ngrohjes së banesave.

Projekti me një kosto të parashikuar rreth 21 milionë euro, parashikon krijimin e një rrjeti modern për shpërndarjen e gazit natyror, duke u ofruar familjeve dhe bizneseve, alternativë të re energjetike. Për një qytet si Korça, ku stina e dimrit është më e ftohtë krahasimisht me zona të tjera në vend, një sistem më eficient ngrohjeje, mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të banorëve.

Ndërkohë, përfitimet nuk lidhen vetëm me familjet. Gazifikimi mund t'u krijojë bizneseve mundësi për të ulur shpenzimet energjetike dhe për ta përdorur gazin në procese të ndryshme teknologjike, duke ndikuar në rritjen e eficiencës dhe konkurrueshmërisë së tyre.

Investigimet që po zhvillohen aktualisht, kanë rol të rëndësishëm për vijimin e këtij projekti. Përmes studimit të karakteristikave të terrenit, do të përcaktohen kushtet teknike dhe mënyra më e përshtatshme për shtrirjen e infrastrukturës së re energjetike.

Në një perspektivë më të gjerë, projekti synon ta afrojë Korçën me një model më modern e të qëndrueshëm të zhvillimit urban. Përdorimi më eficient i energjisë, reduktimi i kostove dhe ndikimi më i ulët në mjedis, janë disa prej objektivave që lidhen me këtë investim. Gazifikimi me rrjetin e ri, shihet ndërhyrje që mund të ndikojë në mënyrën se si qyteti i Korçës do të furnizohet dhe ngrohet në vitet e ardhshme.

Nga studimet në terren te ndërtimi i infrastrukturës, ka nisur hapi i parë dhe  synimi është që Korça, të ketë një sistem energjetik më modern, më eficient dhe  më të përshtatshëm. Financimi për këtë projekt lidhet me bashkëpunimin Shqipëri - Azerbajxhan. Memorandumi u nënshkrua në Nëntor 2024, ndërsa në Prill 2025, ai u prezantua zyrtarisht si projekt pilot, ku Korça u zgjodh si qyteti ku do të testohet modeli përpara shtrirjes së gazifikimit edhe në qytete të tjera.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat