Europa Postuar më 16 September 2026, 10:44

BE “hap derën” për Kanadanë - Von der Leyen propozon status të ri dhe partneritete më të forta

Nga Edel Strazimiri

leyen.JPG

Bashkimi Evropian po shqyrton një hap të paprecedentë në marrëdhëniet me Kanadanë. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ftoi Otavën të punojë me Brukselin për t'u bërë “anëtari i parë i asociuar” i Bashkimit Evropian. Propozimi u bë gjatë fjalimit të saj për Gjendjen e Bashkimit, në Strasburg, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri kanadez Mark Carney.

Von der Leyen tha se BE-ja dhe Kanadaja ndajnë interesa të përbashkëta në fusha si inteligjenca artificiale, ndryshimet klimatike, mbrojtja, mineralet kritike dhe zinxhirët e furnizimit. Ajo propozoi gjithashtu bashkëpunim në prodhimin inteligjent, teknologji dhe energji, ndërsa Arktiku pritet të jetë një nga projektet kryesore të përbashkëta.

Statusi i “anëtarit të asociuar” nuk ekziston aktualisht në traktatet e BE-së, ndaj propozimi do të kërkonte një model të ri marrëdhëniesh. Carney ka folur më herët për një “aleancë unike” me Evropën, duke e përjashtuar anëtarësimin e plotë në BE. 

Nisma vjen në një moment kur Kanadaja po kërkon të zgjerojë partneritetet ekonomike përtej Shteteve të Bashkuara, mes tensioneve tregtare me administratën e Donald Trump. Carney ka vendosur si objektiv dyfishimin e tregtisë së Kanadasë me vendet jashtë SHBA-së gjatë dekadës së ardhshme.

Në fjalimin e saj, von der Leyen theksoi se Evropa duhet të bëhet më e pavarur në sektorë strategjikë dhe të forcojë kapacitetet e saj të mbrojtjes. Ajo njoftoi edhe krijimin e një forumi të ri të sigurisë për BE-në dhe partnerët e saj, ku pritet të ftohen Kanadaja, Ukraina, Norvegjia dhe Britania e Madhe, në përgjigje të kërcënimeve hibride ruse.

Një tjetër pikë e fortë e fjalimit ishte marrëdhënia ekonomike me Kinën. Von der Leyen tha se BE-ja do të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për të reduktuar deficitin tregtar, i cili sipas saj arriti rreth 1 miliard euro në ditë gjatë vitit të kaluar. 

Ajo paralajmëroi gjithashtu krijimin e një strukture të re evropiane për sigurimin dhe grumbullimin e rezervave të lëndëve të para kritike, veçanërisht mineraleve të rralla. Në fokus ishte edhe klima. Pas një vere të shoqëruar me vala të forta të të nxehtit dhe zjarre, Komisioni Evropian synon të forcojë masat e përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike, përfshirë një plan për valët e të nxehtit, nisma për ujin dhe një aleancë të re për sigurimet.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat