Europa Postuar më 16 September 2026, 10:14

Dokumentet e punës në BE - Platforma e digjitalizuar synon të lehtësojë njohjen e sigurimeve dhe kualifikimeve 

Nga Edel Strazimiri

doc pc transak online.jpg

Komisioni Evropian ka propozuar krijimin e një platforme të re digjitale që synon të lehtësojë lëvizjen e punëtorëve brenda Bashkimit Evropian dhe njohjen e dokumenteve të tyre në shtetet anëtare.

Platforma, e quajtur “European Social Security Pass”, do t’u mundësojë qytetarëve të marrin më lehtë përfitimet e sigurimeve shoqërore dhe të sigurimit shëndetësor, si dhe të njohin kualifikimet profesionale në një tjetër vend të BE-së, duke reduktuar procedurat burokratike dhe vonesat.

Komisioni thotë se masa synon gjithashtu të mbrojë punëtorët që lëvizin nga një shtet në tjetrin dhe t’u lehtësojë kompanive rekrutimin e profesionistëve nga vende të tjera të BE-së.

“Tregu i vetëm duhet të bëhet edhe një treg i vërtetë i aftësive, me më shumë mundësi për punëtorët dhe bizneset”, deklaroi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Sipas të dhënave të Komisionit për vitin 2024, rreth 14 milionë evropianë jetonin në një vend të BE-së të ndryshëm nga ai ku kishin lindur, ndërsa 10 milionë prej tyre ishin në moshë pune. Ndërkohë, një sondazh i fundit tregoi se 18% e evropianëve dëshirojnë të zhvendosen jashtë vendit.

Komisioni Evropian vlerëson se digjitalizimi i procedurave mund të sjellë deri në 6 miliardë euro përfitime deri në vitin 2040, përmes verifikimeve më të shpejta, reduktimit të kostove dhe parandalimit të mashtrimeve.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat