Bota Postuar më 16 September 2026, 09:53

Tregtia globale, në udhëkryq - OBT: Fragmentimi i ekonomisë botërore mund të ulë ndjeshëm rritjen dhe eksportet 

Nga Edel Strazimiri

Organizata Botërore e Tregtisë (OBT) ka bërë thirrje për reformimin e rregullave të tregtisë globale, duke paralajmëruar se ekonomia botërore rrezikon të ndahet në blloqe rivale.

Në raportin e saj vjetor, OBT thekson se rregullat aktuale nuk po arrijnë t’u përshtaten ndryshimeve të shpejta në ekonominë globale, rritjes së politikave industriale, tregtisë digjitale dhe tensioneve mes fuqive të mëdha.

Sipas skenarëve të modeluar nga ekonomistët e OBT-së, nëse bota ndahet në blloqe gjeopolitike konkurruese, PBB-ja globale mund të jetë 5.1% më e ulët deri në vitin 2050, ndërsa eksportet mund të bien me 18.6%.

Në një skenar edhe më të rëndë, ku bashkëpunimi shumëpalësh shembet dhe zëvendësohet nga një rrjet marrëveshjesh të veçanta tregtare, ekonomia globale mund të tkurret me 6.9%, ndërsa eksportet me afro 27%.

Në të kundërt, forcimi i bashkëpunimit shumëpalësh mund të rrisë PBB-në globale me 2.9% dhe eksportet me rreth 18%. Sipas OBT-së, vendet më pak të zhvilluara do të përfitonin më shumë nga një sistem më i hapur, por njëkohësisht do të pësonin humbjet më të mëdha në rast fragmentimi.

Paralajmërimi vjen në një kohë kur vendet po përdorin gjithnjë e më shumë tarifa, subvencione, kontrolle eksporti dhe politika industriale, ndërsa tensionet tregtare mes fuqive të mëdha po shtohen.

OBT vëren se rreth 72% e tregtisë globale të mallrave zhvillohet ende sipas rregullit të tarifave të barabarta për të gjithë partnerët, por kjo shifër ka rënë nga rreth 80% në vitin 2022.

Për organizatën, kjo prirje tregon se sistemi shumëpalësh i tregtisë po dobësohet gradualisht dhe se pa reforma, ekonomia botërore rrezikon të përballet me barriera më të larta dhe tregje gjithnjë e më të ndara.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat