Europa Postuar më 10 October 2026, 10:37

BE forcon mbikëqyrjen financiare - Marrëveshja zgjeron kontrollin evropian mbi tregjet dhe lehtëson investimet ndërkufitare

Nga Edel Strazimiri

BE forcon mbikëqyrjen financiare - Marrëveshja zgjeron kontrollin

Vendet e Bashkimit Evropian kanë arritur marrëveshje për zgjerimin e kompetencave të Autoritetit Evropian të Letrave me Vlerë dhe Tregjeve (ESMA), me synimin për të lehtësuar investimet ndërkufitare dhe për të përmirësuar financimin e bizneseve. 

Ministrat e Financave të vendeve të BE-së arritën marrëveshjen të premten në Luksemburg, në kuadër të Paketës për Integrimin dhe Mbikëqyrjen e Tregjeve (MISP).

Sipas paketës së propozuar, ESMA do të marrë mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të operatorëve të rëndësishëm të tregjeve financiare, përfshirë platformat kryesore të tregtimit, dhomat e klerimit, institucionet që merren me shlyerjen e transaksioneve me letra me vlerë dhe ofruesit e shërbimeve të kripto-aseteve.

Reformat synojnë të zvogëlojnë dallimet mes vendeve anëtare në zbatimin e rregullave dhe në mbikëqyrjen e tregjeve, të cilat kanë kontribuar në fragmentimin e tregut financiar evropian.

Paketa parashikon gjithashtu krijimin e një bordi ekzekutiv të pavarur dhe me kohë të plotë brenda ESMA-s, si dhe mundësi për operatorët financiarë që të zgjedhin një kuadër të ri të përbashkët për të ushtruar aktivitetin e tyre në të gjithë BE-në.

Presidenca irlandeze e Këshillit të BE-së theksoi se objektivi është të lehtësohet qarkullimi i kursimeve dhe investimeve përtej kufijve kombëtarë, duke u dhënë kompanive më shumë mundësi për financim dhe familjeve më shumë alternativa për të investuar kursimet e tyre.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse disa platforma tregtimi të Deutsche Börse, operatorit të bursës së Frankfurtit, do t'i nënshtrohen drejtpërdrejt mbikëqyrjes evropiane. Sipas raportimeve të mëparshme, Gjermania kishte siguruar një përjashtim për platformat me fokus kryesisht vendas, të cilat do të vijonin nën mbikëqyrjen rajonale gjermane.

Ministri holandez i Financave, Eelco Heinen, e cilësoi marrëveshjen si një hap të rëndësishëm përpara në avancimin e Unionit të Tregjeve të Kapitalit. 

Marrëveshja konsiderohet gjithashtu një etapë e rëndësishme për Unionin e Kursimeve dhe Investimeve (SIU), nismë që synon të orientojë më shumë nga kursimet e qytetarëve evropianë drejt investimeve produktive.

Mbështetësit e integrimit më të madh financiar argumentojnë se një treg më i bashkuar mund të ulë kostot e financimit, të përmirësojë qasjen e kompanive në kapital dhe t'u ofrojë investitorëve më shumë mundësi brenda Bashkimit Evropian.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat