Shqipëria Postuar më 10 October 2026, 10:34

Aktivitetet në fondin pyjor - Nga energjia, te agropylltaria. 198 ha në Kolonjë e Pogradec, për përdorime ekonomike

Nga Ola Mitre

Aktivitetet në fondin pyjor - Nga energjia, te agropylltaria. 198 ha

Rreth 198 hektarë fond pyjor në bashkitë Kolonjë dhe Pogradec janë dhënë në përdorim ose janë përfshirë në procedura për aktivitete ekonomike gjatë viteve 2023–2025. Pjesa më e madhe e kësaj sipërfaqeje ndodhet në Kolonjë, ku projektet për prodhimin e energjisë nga dielli dhe era dominojnë përdorimet e evidentuara. Të dhënat vijnë nga raporti i organizatës All Green Centre për përdorimin dhe qeverisjen e fondit pyjor, që përfshin monitorimin e tri bashkive: Kolonjë, Pogradec dhe Korçë.

Në Kolonjë janë evidentuar mbi 183 hektarë fond pyjor të përfshirë në procedura për përdorime ekonomike. Prej tyre, rreth 136 hektarë lidhen me energjinë e rinovueshme. Gjatë tre viteve të monitoruara janë identifikuar pesë procedura për centrale fotovoltaike dhe një për ndërtimin e një centrali eolik me infrastrukturën mbështetëse.

Raporti evidenton një lidhje të dobët ndërmjet këtyre zhvillimeve dhe planifikimit të territorit. Sipas analizës, dokumentet vendore të Kolonjës e orientojnë ekonominë drejt bujqësisë, blegtorisë dhe turizmit, ndërsa në materialet e shqyrtuara nuk identifikohen zona të dedikuara posaçërisht për projekte energjetike brenda sistemit natyror.

Në Pogradec, monitorimi ka identifikuar tri raste që përfshijnë gjithsej 14,84 hektarë, për agropylltari, ngritjen e një fidanishteje dhe veprimtari kërkim-zbulimi. Në Korçë, gjatë periudhës së shqyrtuar, nuk janë identifikuar procedura konkurruese për dhënien në përdorim të fondit pyjor.

Krahas procedurave dhe planifikimit, raporti trajton edhe ndikimet e mundshme mjedisore. Heqja e vegjetacionit, hapja e rrugëve dhe instalimi i infrastrukturës mund të sjellin humbje ose fragmentim të habitateve, ndryshime në peizazh dhe rritje të ekspozimit të tokës ndaj erozionit. Në zonat ku përqendrohen disa investime, si Kolonja, analiza kërkon që efektet e tyre të vlerësohen së bashku.

All Green Centre rekomandon qartësimin e rregullave për përdorimin e fondit pyjor dhe shqyrtimin e alternativave të vendndodhjes përpara se sipërfaqet të vihen në dispozicion të investimeve. Sipas raportit, planifikimi paraprak është vendimtar për të harmonizuar zhvillimin energjetik me ruajtjen e pyjeve dhe aktivitetet ekonomike të komuniteteve lokale.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat