Shqipëria Postuar më 10 October 2026, 10:49

4,879 mamografi deri në shtator - ISHP: Shtohen kontrollet për kancerin e gjirit 

Nga Fabjona Pasho

4,879 mamografi deri në shtator - ISHP: Shtohen kontrollet për

Në nëntë muajt e parë të vitit 2026, në Shqipëri janë kryer 4,879 ekzaminime falas të gjirit përmes dy njësive të lëvizshme të mamografisë, duke tejkaluar numrin e kontrolleve të realizuara gjatë gjithë vitit 2025.

Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Shëndetit Publik, vitin e kaluar u regjistruan 4,736 ekzaminime, ndërsa këtë vit kjo shifër është tejkaluar që në fund të shtatorit, me 143 kontrolle më shumë.

Të dhënat mujore tregojnë se numri më i lartë i ekzaminimeve është regjistruar në shkurt, me 666 mamografi, i ndjekur nga maji me 652 dhe prilli me 625. Ndërkohë, gushti ka shënuar numrin më të ulët, me 340 ekzaminime.

Programi i mamografive të lëvizshme synon t'u mundësojë grave kryerjen e kontrolleve falas, veçanërisht në zonat ku aksesi në shërbimet e specializuara shëndetësore është më i kufizuar. Gjatë këtij viti, njësitë kanë ofruar shërbime në qytete dhe zona të ndryshme të vendit, përfshirë Gramshin, Pogradecin, Librazhdin, Bulqizën dhe Tropojën.

Rëndësia e këtyre kontrolleve lidhet edhe me numrin e rasteve të reja të kancerit të gjirit në vend. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, gjatë vitit 2025 u diagnostikuan 829 gra me këtë sëmundje, nga 805 një vit më parë. Mbi 77% e rasteve u përkisnin grave mbi 50 vjeç.

Të dhënat vijnë në një kohë kur tetori, i njohur si Tetori Rozë, i kushtohet ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit dhe rëndësinë e kontrolleve parandaluese. Fushata synon të nxisë gratë të kryejnë ekzaminime periodike, pasi diagnostikimi në fazat e hershme rrit mundësitë për trajtim të suksesshëm.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat