Shqipëria Postuar më 12 October 2026, 14:14

Avancon bypass-i i Tiranës - Shpallet fituesi për fazën III, oferta 1.38 mld lekë për rrugën Kashar-Nyja Vaqarr

Nga Ola Mitre

Avancon bypass-i i Tiranës - Shpallet fituesi për fazën III,

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur kompaninë fituese të tenderit për fazën e tretë të bypass-it të Tiranës. Oferta fituese e “Elmazaj Konstruksion” është rreth 1.38 mld lekë, kundrejt fondit limit prej rreth 1.55 mld lekësh të vënë në dispozicion për këtë procedurë. Diferenca mes ofertës fituese dhe fondit limit është rreth 168.9 mln lekë, ose gati 11% më pak. 

Kjo fazë përbën nyjen që do të lidhë bypass-in me autostradën Tiranë – Durrës, në zonën e Kasharit, duke krijuar një alternativë të re qarkullimi për automjetet që udhëtojnë drejt jugut dhe juglindjes së vendit. 

Projekti i bypassi-it të Tiranës synon të devijojë trafikun tranzit jashtë kryeqytetit dhe të ulë ngarkesën në rrugët urbane të Tiranës. Ndërkohë, në dy fazat e para të projektit, sipas raportimeve të disa muajve më parë të Autoritetit Rrugor Shqiptar, realizimi fizik i kontratave kishte arritur në rreth 20%. Këto dy lote përfaqësojnë një investim prej rreth 5.9 mld lekësh dhe përfshijnë një gjatësi prej rreth 8.2 km.

Në tërësi, bypass-i i Tiranës parashikohet të ketë një gjatësi prej rreth 21.6 km dhe të lidhë autostradën Tiranë – Durrës me autostradën Tiranë – Elbasan. 

Projekti është konceptuar si një autostradë e kategorisë A, me dy korsi për secilin drejtim lëvizjeje, shpejtësi projektimi deri në 120 km/orë dhe katër nyje kryesore lidhëse përgjatë gjurmës. Dokumentacioni teknik parashikon edhe ndërtimin e urave, mbikalimeve, nënkalimeve dhe rrugëve lokale, për të mundësuar lidhjen me zonat që përshkohen nga aksi i ri dhe për të përmirësuar sigurinë rrugore.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat