Scan Life Postuar më 12 October 2026, 12:43

Shpallet Nobel për ekonominë - Robert Hall dhe Michael Woodford vlerësohen për modelet e stabilizimit ekonomik

Nga Edel Strazimiri

Shpallet Nobel për ekonominë - Robert Hall dhe Michael Woodford

Akademikët amerikanë Robert Hall dhe Michael Woodford janë fituesit e Çmimit Nobel për Ekonominë 2026, për punën e tyre mbi bazat mikroekonomike të stabilizimit makroekonomik. Njoftimi u bë të hënën nga Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave në Stokholm.

Dy studiuesit zhvilluan modele ekonomike që kanë përmirësuar mënyrën se si qeveritë dhe bankat qendrore hartojnë politika për të stabilizuar ekonominë dhe për të kufizuar luhatjet e forta ekonomike.

Puna e tyre ndihmon në përcaktimin e kohës dhe masës së duhur për ndërhyrjet fiskale, përmes taksave dhe shpenzimeve publike, si dhe për politikat monetare, që lidhen me normat e interesit dhe kushtet e kreditimit.

Sipas komitetit të çmimit, modelet e zhvilluara nga dy ekonomistët ofrojnë një bazë të qëndrueshme teorike për analizat që përdoren sot nga bankat qendrore dhe qeveritë në mbarë botën. Ato ndihmojnë në përballimin e goditjeve ekonomike, si krizat energjetike apo ndryshimet e papritura në konsumin e familjeve.

Çmimi, i njohur zyrtarisht si Çmimi i Bankës së Suedisë në Shkencat Ekonomike në Kujtim të Alfred Nobelit, ka një vlerë prej 12 milionë koronash suedeze, rreth 1.2 milionë dollarë.

Ky është çmimi i fundit Nobel që shpallet për këtë vit. Ndryshe nga pesë çmimet origjinale të krijuara nga Alfred Nobeli, ai i Ekonomisë u themelua në vitin 1969 nga banka qendrore e Suedisë.

Vitin e kaluar, çmimi iu dha Joel Mokyr, Philippe Aghion dhe Peter Howitt për studimet mbi inovacionin, përparimin teknologjik dhe ndikimin e tyre në rritjen ekonomike.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat