Analiza Postuar më 12 October 2026, 12:02

Kredia e keqe, tjetër minimum/ Zbresin në 3.66% në Gusht, niveli më i ulët që nga janari 2008

Nga Xhorxhina Deda

Kredia e keqe, tjetër minimum/ Zbresin në 3.66% në Gusht, niveli

Kreditë me probleme në sistemin bankar shqiptar kanë zbritur në një tjetër minimum. Sipas të dhënave të “Bankës së Shqipërisë”, në fund të gushtit 2026 ato përbënin 3.66% të totalit të huave, nga 3.69% në korrik dhe 3.70% në qershor.

Ky është niveli më i ulët i regjistruar gjatë këtij viti dhe më i ulëti që prej fillimit të vitit 2008. Nga seria historike, në janar 2008 raporti ishte rreth 3.58%, ndërsa një muaj më pas ishte ngjitur në rreth 3.78%.

Rënia gjatë këtij viti ka qenë graduale. Kreditë me probleme përbënin 3.85% të totalit në janar, 3.80% në shkurt dhe 3.85% në mars. Më pas raporti zbriti në 3.75% në prill, 3.77% në maj, 3.70% në qershor, 3.69% në korrik dhe 3.66% në gusht. Krahasuar me gushtin e vitit 2025, kur norma ishte 4.19%, rënia është rreth 0.53 pikë përqindjeje.

E përkthyer në vlerë monetare, kreditë e këqija llogariten në rreth 36.8 miliardë lekë. Përllogaritja është orientuese dhe rezulton nga aplikimi i normës 3.66% mbi portofolin total të kredisë prej rreth 1 trilion lekësh. Një vit më parë, me të njëjtën mënyrë përllogaritjeje, vlera rezultonte rreth 37.7 miliardë lekë. Pra, portofoli i kredisë është zgjeruar ndjeshëm, ndërsa masa e përllogaritur e huave problematike ka ardhur lehtë në rënie.

Ndryshe nga raporti bruto, disa tregues të kredive me probleme pas zbritjes së provigjioneve shënuan një rritje të lehtë në gusht. Raporti i tyre ndaj kapitalit rregullator u rrit nga 6.07% në 6.21%, ndërsa ndaj kapitalit aksioner nga 5.89% në 5.93%.

Treguesit e likuiditetit mbetën përgjithësisht të qëndrueshëm. Aktivet likuide përbënin 30.09% të totalit të aktiveve, pothuajse në të njëjtin nivel me korrikun, ndërsa raporti ndaj detyrimeve afatshkurtra u rrit nga 43.28% në 43.52%.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat