Shqipëria Postuar më 12 October 2026, 10:26

Shkodër, investim në energji - 294 milionë lekë për rrjetin elektrik

Nga Ernilda Luzi

Shkodër, investim në energji - 294 milionë lekë për

Drejtoria Rajonale e OSSH-së në Shkodër ka shpallur dy procedura prokurimi për zhvillimin dhe rikonstruksionin e rrjetit elektrik në disa zona. Investimet parashikojnë ndërtimin e kabinave të reja elektrike, rikonstruksionin e kabinave ekzistuese dhe ndërhyrje në rrjetin e tensionit të ulët, me synim përmirësimin e cilësisë së furnizimit me energji elektrike.

Procedura e parë lidhet me zhvillimin e rrjetit 20 kilovolt, ndërtimin e kabinave tip Box dhe rikonstruksionin e kabinave dhe rrjetit të tensionit të ulët në zonën e Golemit dhe Shtojit të Vjetër, të nënstacionit Shkodra 1. Fondi limit i kësaj gare është 189 milionë e 994 mijë lekë.

Sipas dokumentacionit të publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik, projekti parashikon ndërtimin e dy kabinave të reja elektrike dhe rikonstruksionin e dy kabinave ekzistuese. Kabina e re në zonën e autostradës do të pajiset me transformator me kapacitet 630 kVA, ndërsa kabina pranë hekurudhës do të ketë transformator 400 kVA.

Ndërhyrjet do të përfshijnë gjithashtu rikonstruksionin e kabinave në qendër të Shtojit të Vjetër dhe në zonën e Golemit, me transformatorë 400 kVA. Projekti parashikon edhe vendosjen e shtyllave të reja dhe lidhjen e daljeve me rrjetin ekzistues.

Ndërkohë, procedura e dytë e shpallur nga OSSH Shkodër lidhet me zhvillimin e fiderit 24 të nënstacionit Shkodra 1, me tension 110/35/20/6 kilovolt. Projekti parashikon ndërtimin e kabinave të reja, si dhe rikonstruksionin e kabinave dhe rrjetit të tensionit të ulët  në zonën e furnizuar nga fideri 15. Për këtë procedurë, fondi limit është 104 milionë e 766 mijë lekë.

Në total, vlera e parashikuar për të dyja procedurat arrin në rreth 294 milionë e 760 mijë lekë. Ndërhyrjet synojnë modernizimin e infrastrukturës së shpërndarjes dhe përmirësimin e furnizimit me energji elektrike për abonentët e zonave të përfshira.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat