Europa Postuar më 12 October 2026, 10:20

Superfitimet e energjisë - BE kërkon taksën e përbashkët që të mbështesë konsumatorët përpara dimrit

Nga Edel Strazimiri

Superfitimet e energjisë - BE kërkon taksën e

Komisioni Evropian po shqyrton mundësinë e vendosjes së një takse të përbashkët mbi fitimet e tepërta të kompanive të energjisë, në një kohë kur çmimet mbeten të larta dhe vendet anëtare kërkojnë masa për të lehtësuar barrën mbi familjet dhe bizneset përpara dimrit.

Sipas Bloomberg, Komisioni ka informuar ministrat e financave të Bashkimit Evropian se do të vlerësojë fizibilitetin dhe ndikimin ekonomik të kësaj mase. Të ardhurat nga taksa e mundshme mund të përdoren për të mbështetur konsumatorët që përballen me kostot e larta të energjisë.

Nisma vjen pas kërkesave të disa shteteve anëtare për një qasje të përbashkët evropiane. Gjermania, Portugalia, Spanja, Austria, Italia dhe Polonia i kanë kërkuar më herët BE-së të ecë përpara me një propozim për taksimin e superfitimeve në sektorin energjetik.

Çështja pritet të diskutohet në samitin e liderëve evropianë në Bruksel, ku ulja e kostove të energjisë mbetet një nga prioritetet kryesore.

Presionit mbi çmimet i shtohen shqetësimet për furnizimin me gaz natyror gjatë muajve të ftohtë. Vlerësimet e cituara në raport tregojnë se Evropës mund t'i mungojnë deri në 14 miliardë metra kub gaz këtë dimër, ekuivalente me rreth 7% të kërkesës totale të BE-së.

Ndërkohë, rezervat e gazit në objektet e magazinimit janë pak mbi 70% të kapacitetit, niveli më i ulët për këtë periudhë të vitit që nga viti 2011. Nëse temperaturat bien ndjeshëm, vendet evropiane mund të detyrohen të mbështeten më shumë te importet e gazit natyror të lëngshëm (LNG), në një treg ku ofertat janë të kufizuara dhe çmimet të larta.

Megjithatë, vendosja e një takse të përbashkët përballet me sfida politike dhe ligjore. Komisioni duhet të vlerësojë gjithashtu rrezikun që masa të ndikojë në investimet e ardhshme në sektorin energjetik ose të krijojë çrregullime në treg.

Për momentin, nuk ka një vendim përfundimtar për vendosjen e taksës. Diskutimet pritet të vijojnë ndërsa qeveritë evropiane kërkojnë mënyra për të garantuar furnizimin me energji dhe për të kufizuar kostot që mund të rëndojnë mbi konsumatorët gjatë dimrit.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat