Shqipëria Postuar më 11 October 2026, 10:43

Malësia e Madhe dhe Përmeti, Rama: Nga zona pa shpresë në destinacione të Shqipërisë së re

Nga Diamila Leka

Malësia e Madhe dhe Përmeti, Rama: Nga zona pa shpresë në

Kryeministri Edi Rama e nisi episodin e sotëm të podcast-it “Flasim” me një reflektim mbi transformimin e Malësisë së Madhe dhe Përmetit gjatë dekadës së fundit, duke i cilësuar këto dy zona si shembuj të ndryshimit të Shqipërisë.

Rama u shpreh se, rreth 10 vite më parë, të dyja zonat perceptoheshin si vende të largëta, ku mungonin arsyet për t’u vizituar dhe perspektiva për të ardhmen. Sipas tij, në atë kohë, banorët qëndronin kryesisht për shkak të lidhjeve familjare, ndërsa vizitat nga jashtë lidhen më së shumti me dasma apo raste mortore.

Sot, sipas kryeministrit, Malësia e Madhe dhe Përmeti janë kthyer në destinacione turistike që përfaqësojnë një tjetër imazh të vendit. Rama theksoi se ky transformim është arritur përmes shumë përpjekjeve, ndërsa kritikoi klimën e krijuar në rrjetet sociale dhe ekranet televizive, që sipas tij nuk pasqyron ndryshimet e ndodhura në vend.

“Qoftë Malësia e Madhe, qoftë Përmeti ngjanin si vende pa shpresë, ky kush ishte aty ishte thjesht ende aty, por të nesërmen s’do të ishte më aty. Kush vinte, vinte ose se kishte familjen aty për t’i parë ose se në rastin më të zakonshëm një dasmë ose larg qoftë, një vaki. Sot janë dy destinacione të Shqipërisë së re, Shqipërisë tjetër që kemi ndërtuar me shumë mund”, u shpreh Rama.

Në vijim, kryeministri iu referua edhe protestave në bulevardin pranë Kryeministrisë dhe debatit në rrjetet sociale, duke pretenduar se ato krijojnë një perceptim që mbulon zhvillimet dhe ndryshimet e ndodhura në zona të ndryshme të Shqipërisë.

Gjatë podcast-it, kryeministri u ndal edhe te programi “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, i cili synon të mbështesë bizneset e vogla dhe të mesme në sektorë si agroturizmi, blegtoria, agropërpunimi, teknologjia dhe ambalazhimi.

Sipas Ramës, skema parashikon kredi me interes deri në 2%, garanci shtetërore për 70% të financimit dhe afat shlyerjeje deri në 10 vjet. Financimi mund të arrijë deri në 2 milionë euro, në varësi të planit të biznesit dhe mundësive që lidhen me kolateralin.

“Merrni kredi deri në 2% interes, 70% të garancisë e vë shteti dhe është 10 vjet dhe është deri në 2 milionë euro, por mund të marrë dhe më pak sipas planit dhe mundësive që lidhen me kolateralin”, tha Rama.

Agroturizmi është një prej sektorëve ku synohet të orientohet mbështetja financiare, veçanërisht në zonat me potencial turistik, ku ndërthurja e turizmit me prodhimin vendas mund të krijojë mundësi të reja për sipërmarrjen dhe ekonominë lokale.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat