Bota Postuar më 12 October 2026, 10:21

BB përgatit ndihmën/ 30-40 vende në bisedime për financime përballë krizës energjetike dhe inflacionit

Nga Edel Strazimiri

BB përgatit ndihmën/ 30-40 vende në bisedime për financime

Banka Botërore është në bisedime me 30 deri në 40 vende për ofrimin e mundshëm të ndihmës financiare, për t’i ndihmuar të përballojnë goditjet në tregjet e energjisë dhe rritjen e çmimeve të shkaktuara nga lufta në Lindjen e Mesme. Lajmi u bë i ditur nga presidenti i institucionit, Ajay Banga, në një intervistë për Reuters, përpara takimeve vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore.

Sipas Bangës, ekonomia globale ka treguar qëndrueshmëri më të madhe nga sa pritej, ndërsa investimet në inteligjencën artificiale dhe përshtatjet në ofertën dhe kërkesën për naftë kanë ndihmuar në përballimin e situatës. Për këtë arsye, në fazën e parë, pak vende kanë kërkuar të përdorin fondin prej 25 miliardë dollarësh të vënë në dispozicion nga Banka Botërore pas nisjes së luftës në fund të shkurtit.

Megjithatë, rritja e fortë e çmimeve të naftës dhe të plehrave kimike, së bashku me rreziqet që lidhen me fenomenin klimatik Super El Niño, po shtojnë presionin mbi vendet në zhvillim. Banga tha se gjatë muajve të ardhshëm mund të rritet numri i vendeve që do të kërkojnë mbështetje nga një paketë financimi prej 50 deri në 60 miliardë dollarësh. 

Kjo shumë përfshin 25 miliardë dollarët e parashikuar fillimisht dhe 35 miliardë dollarë të tjerë që mund të sigurohen duke riorientuar fondet e projekteve të miratuara më parë. Nëse situata përkeqësohet, Banka Botërore mund të vërë në dispozicion deri në 100 miliardë dollarë, më shumë se 70 miliardë dollarët e disbursuar gjatë pandemisë së COVID-19.

Presioni financiar është veçanërisht i madh për ekonomitë në zhvillim, të cilat po përballen me energji të shtrenjtë dhe kosto më të larta huamarrjeje, ndërsa financat publike mbeten të dobësuara nga pandemia dhe vala e inflacionit pas pushtimit rus të Ukrainës. Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, këto vende u detyrohen kreditorëve të huaj rreth 400 miliardë dollarë gjatë vitit 2026, ndërsa pagesat e interesave përbëjnë afërsisht një të tretën e kësaj shume.

Paralelisht, institucioni synon të nxisë investimet private në ekonomitë në zhvillim. Kapitali privat i tërhequr nga Banka Botërore arriti një rekord prej 112 miliardë dollarësh në vitin e përfunduar në qershor, nga 69 miliardë dollarë një vit më parë. Së bashku me 123 miliardë dollarët e investuar nga vetë institucioni, financimi i përgjithshëm arriti në 235 miliardë dollarë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat