Shqipëria Postuar më 28 October 2026, 10:46

265 mln euro për pensionistët - Buxheti/ 10 miliardë euro për 2027-ën, rriten investimet

Nga Elisabeta Dosku

265 mln euro për pensionistët - Buxheti/ 10 miliardë euro

Buxheti i shtetit për vitin 2027 planifikohet të arrijë në shifrën e rreth 907.9 miliardë lekëve apo 10 miliardë eurove.  Në raport me buxhetin e vitit 2026, rishikuar sipas aktit më të fundit normativ, planifikohet një rritje prej 64.7 miliardë lekësh apo rreth 715 milionë eurosh, e cila vjen nga rritja progresive e të ardhurave thuajse në të gjithë zërat që furnizojnë arkën e shtetit si dhe nga rritja ekonomike e të vendit, çka do të përkthehet në më shumë investime në sektorë të ndryshëm të ekonomisë dhe më shumë para për mbështetjen e shtresave në nevojë.  Të ardhurat tatimore, paraprakisht planifikohen në 853 miliardë lekë vitin e ardhshëm dhe të ardhurat doganore në 583 miliardë lekë, në rritje të konsiderueshme në raport me këtë vit. 

Referuar kuadrit ekonomik-fiskal afatmesëm 2027-2030, i miratuar së fundmi, projektohet që buxheti i shtetit të vijë në rritje progresive në 4 vitet në vijim, duke arritur rekordin në vitin 2030, në 11.4 miliardë euro. 

Referuar të dhënave edhe shpenzimet për vitin 2027 planifikohen në 976 miliardë lekë dhe me rritje graduale nga viti në vit, duke arritur sërish vlerën më të lartë në 2030-ën.

Shpenzimet për fondet speciale, ku përfshihen sigurimet shoqërore, politika të reja pensionesh dhe bonusi i pensionistëve, parashikohen në rritje të ndjeshme gjatë vitit që vjen. Konkretisht në kuadrin fiskal afatmesëm, llogaritën 313.4 miliardë lekë për këtë zë,  apo afro 24 miliardë lekë më shumë se sa u programuan për vitin 2026. Kjo shtesë e ndjeshme lidhet me bonusin e pensionistëve i cili dyfishohet nga 10 miliardë lekë që ishte në 2026 në 20 miliardë lekë në vitin 2027,  si dhe me parashikimin e politikave të reja për pensionet në 4 miliardë lekë nga 1.6 miliardë lekë që u akorduan gjatë këtij viti. Pra në total për pensionistët planifikohen të shpërndahen 24 miliardë lekë apo 265 milionë euro vitin e ardhshëm. Ndërsa në vitet në vijim, bonusi i pensionistëve rritet me nga 10 miliardë lekë çdo vit ndërsa buxheti për politika të reja pensionesh që më së shumti lidhet me indeksimin, qëndron thuajse në të njëjtat nivele. 

Ndërsa për politika të reja pagash parashikohen 3.6 miliardë lekë në vitin 2027 dhe në vijim. 

Në kuadrin fiskal afatmesëm parashikohet gjithashtu një rritje e konsiderueshme e investimeve publike nga viti në vit. Për 2027-ën, shpenzimet kapitale planifikohen në 201.5 miliardë lekë, me rritje prej 25.3 miliardë lekë në raport me vitin 2026. 

Deficiti buxhetor parashikohet në 68.1 miliardë lekë në 2027-ën, me rritje prej 4.4 miliardë lekë në raport me 2026-ën dhe ulje në vitet në vijim. 

Megjithatë pritet që drafti i dedikuar i buxhetit për vitin 2027 i cili do të miratohet në qeveri, të saktësojë më tej shifrat dhe se si do të shpërndahet ai në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat