Bota Postuar më 28 Nëntor 2023, 10:44

Zelanda e Re i rikthehet duhanpirjes - Qeveria deklaron se duhani rrit të ardhurat në buxhet!

Nga SCAN TV
Zelanda e Re i rikthehet duhanpirjes - Qeveria deklaron se duhani rrit të

Një nga iniciativat më me ndikim në nivel kombëtar dhe global po revokohet nga qeveria e re e koalicionit të Zelandës së Re, me argumentin se kjo do të rrisë të ardhurat e qeverisë dhe do të lërë hapësirë për më shumë lehtësime tatimore. Arsyeja e ligjit të shumëpërfolur kundër duhanit, ishte për rritjen e gjeneratës së parë që nuk do të kishte pirë kurrë duhan, duke reduktuar vdekjet lehtësisht të parandalueshme dhe duke kufizuar kostot e kujdesit shëndetësor.

Kryeministri i ri i vendit, Christopher Luxon, befasoi komunitetin vendas dhe global duke njoftuar heqjen e ligjit kundër duhanit, i cili gradualisht rrit moshën ligjore për blerjen e produkteve të duhanit, duke e ndaluar përfundimisht atë tërësisht për ata që kanë lindur në 2009 e më vonë. Në kuadër të rregulloreve, të cilat nisën të miratoheshin vitin e kaluar dhe do të zbatoheshin plotësisht në vitin 2024, ka reduktim të kufirit maksimal të nikotinës në produktet përkatëse, shitjen e tyre vetëm në një numër të kufizuar dyqanesh, si dhe masa për më pak shitje pranë shkollave.

Hulumtimet e fundit vlerësuan se me miratimin e plotë të rregulloreve, Zelanda e Re do të kursente 1.3 miliardë dollarë në kostot shëndetësore gjatë njëzet viteve, ndërsa vdekjet e femrave do të reduktoheshin me 22% dhe të meshkujve me 9%.

Qeveria e re u mbështet në hapjen e tregut të pronave ndaj blerësve të huaj në mënyrë që të financonte lehtësimet tatimore për klasat e mesme dhe të ulëta. Pas refuzimit të këtij propozimi nga partitë e pakicës në koalicionin qeverisës, deputetët iu drejtuan ligjit kundër duhanit.

Vetë kryeministri argumentoi se të ardhurat nga taksat nga shitjet e vazhdueshme të cigareve do të kontribuonin në të ardhurat e qeverisë, ndërsa theksoi se ndalimi mund të çojë në një lulëzim të shitjeve në tregun e zi. Vihet re se në qendër të fushatës elektorale, qeveria e re vendosi depërshkallëzimin e kostos së jetesës dhe kontrollin e inflacionit për të ulur normat e kreditimit dhe çmimet e ushqimeve. Gjithashtu, prioritet i është dhënë përmirësimit të shërbimeve publike dhe reduktimit të krimit.

Aktualisht një përqindje e vogël, rreth 8%, ende pi duhan në Zelandën e Re, pas rënies së madhe të numrit të duhanpirësve. Qëllimi ishte kufizimi i mëtejshëm në 5% deri në vitin 2025 dhe eliminimi i plotë i tij në vitet në vijim.

Dorina Kurtaj / SCAN

Sondazh

Poll
Shqipëria 28 Nëntor

Rritje e përgjithshme e valutave kryesore!

Dollari amerikan sikurse edhe valutat e tjera këtë mëngjesh ka regjistruar rritje të lehtë të vlerës teksa është blerë sot me 93.5 lekë dhe është shitur me......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat