Bota Postuar më 17 September 2026, 10:54

Trump kërcënon BE-në - “Tarifa të reja nëse Kanadaja afrohet me bllokun europian”

Nga Edel Strazimiri

Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar Bashkimin Europian me tarifa shumë të larta ose kufizim të tregtisë, nëse Brukseli vijon planin për afrimin e Kanadasë me BE-në.

Reagimi erdhi pasi presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, propozoi krijimin e një “Aleance për të Ardhmen” mes BE-së dhe Kanadasë, si dhe mundësinë që Ottawa të bëhet anëtari i parë “i asociuar” i bllokut.

Trump e cilësoi idenë e afrimit të Kanadasë me BE-në si “qesharake” dhe e akuzoi Kanadanë se është një partner i keq tregtar. Ai paralajmëroi se, nëse nisma europiane ka qëllime që Uashingtoni i konsideron të pafavorshme, “do të vendosim tarifa shumë të rënda ndaj Europës”.

Nisma vjen në një kohë kur Kanadaja dhe BE-ja po kërkojnë të forcojnë lidhjet ekonomike dhe strategjike, ndërsa marrëdhëniet me administratën Trump janë përkeqësuar. Kanadaja është veçanërisht e ekspozuar ndaj tregut amerikan, ku përfundon rreth 70% e eksporteve të saj.

Partneriteti i propozuar do të zgjerohej përtej marrëveshjes ekzistuese të tregtisë së lirë, CETA, duke përfshirë energjinë, teknologjinë, prodhimin e avancuar, mbrojtjen, mineralet kritike, bateritë, inteligjencën artificiale dhe sigurinë kibernetike.

Ndërkohë, Kanadaja ka nisur të thellojë bashkëpunimin me Europën edhe në fushën e mbrojtjes dhe ka shprehur interes për programe të tjera europiane. Kryeministri Mark Carney ka argumentuar se afrimi me BE-në mund t’i japë Kanadasë më shumë hapësirë për të reduktuar varësinë nga Shtetet e Bashkuara.

Përplasja vjen pasi BE-ja dhe SHBA-ja kanë arritur më herët një marrëveshje tregtare që vendos një tavan prej 15% për tarifat amerikane mbi shumicën e eksporteve europiane. Çdo përshkallëzim i ri do të hapte një tjetër front në marrëdhëniet tregtare transatlantike.

Në të njëjtën ditë, Trump nënshkroi edhe një memorandum që kufizon aksesin e kompanive kanadeze në prokurimet federale amerikane, duke e justifikuar masën me politikat e Otavës për favorizimin e produkteve vendase.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat