Analiza Postuar më 2 November 2026, 11:10

9.2 banesa për çdo 1,000 banorë/ Shqipëria kryeson Europën për shtëpi të përfunduara në raport me popullsinë

Nga Scan TV

9.2 banesa për çdo 1,000 banorë/ Shqipëria kryeson

Shqipëria renditet e para në Europë për intensitetin e ndërtimit të banesave, me 9.22 banesa të përfunduara për çdo 1 mijë banorë gjatë vitit 2025. Të dhënat e raportit  Deloitte Property Index për tregjet rezidenciale tregojnë se vendi lë pas të gjitha shtetet e tjera të përfshira në krahasim, duke reflektuar një aktivitet të lartë ndërtimor në raport me madhësinë e popullsisë.

Pas Shqipërisë renditet Turqia, me 7.82 banesa të përfunduara për çdo 1 mijë banorë, e ndjekur nga Irlanda me 6.64. Në krahun tjetër, nivelet më të ulëta të këtij treguesi u regjistruan në Hungari, me 1.26 banesa për 1 mijë banorë, dhe në Spanjë, me 1.64.

Megjithatë, renditja ndryshon ndjeshëm kur krahasimi bëhet sipas numrit absolut të banesave të përfunduara dhe jo në raport me popullsinë. Turqia mbetet tregu më i madh për nga volumi i ndërtimeve, me rreth 673,600 banesa të përfunduara gjatë vitit 2025. Pas saj renditet Franca me 378,800 banesa, ndërsa Polonia dhe Gjermania regjistruan përkatësisht rreth 208,700 dhe 207,000 banesa.

Një tjetër element që bie në sy në të dhënat për Shqipërinë është ecuria vjetore e ndërtimeve. Pavarësisht se vendi mban vendin e parë për numrin e banesave të përfunduara në raport me popullsinë, në vitin 2025 u regjistrua një rënie krahasuar me vitin paraardhës. 

Në të njëjtën periudhë, rënie të numrit të banesave të përfunduara u evidentua edhe në Sllovaki me 19.1%, Norvegji me 18.5%, Gjermani me 17.9% dhe Belgjikë me 17.5%. Në të kundërt, Bullgaria shënoi rritjen më të fortë vjetore, me 78.9%, e ndjekur nga Irlanda me 20.3% dhe Franca me 14.7%.

Të dhënat evidentojnë kështu një kontrast në tregun shqiptar të banesave ku Shqipëria ruan intensitetin më të lartë të ndërtimeve në raport me popullsinë, por njëkohësisht regjistron një rënie të volumit të banesave të përfunduara krahasuar me vitin 2024.

9.2 banesa për çdo 1,000 banorë/ Shqipëria kryeson

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat