Shqipëria Postuar më 22 September 2026, 14:21

Ibrahimaj: Kredi 0% për banesat - Qeveria zgjeron mbështetjen me subvencione për kredi dhe qira

Nga Edel Strazimiri

cafe017a-7977-4175-b61c-b226c645cdf4.jpg

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit po përgatit një reformë të re për strehimin e përballueshëm, me fokus te kreditë bankare me interesa të subvencionuara, mbështetja për qiranë dhe krijimi i ofertave të reja të banesave. Ministrja Delina Ibrahimaj zhvilloi një takim me përfaqësues të Shoqatës së Ndërtuesve dhe tregut imobiliar për të diskutuar mundësitë konkrete të zbatimit të skemave të reja.

Sipas Ibrahimajt, ndryshimi i politikave vjen në kushtet e rritjes së çmimeve të banesave, veçanërisht në qytetet kryesore. Reforma synon të zgjerojë mbështetjen përtej kategorive tradicionale në nevojë, duke përfshirë edhe profesionistë, çifte dhe familje të reja që hasin vështirësi në përballimin e kostove të strehimit.

Një nga skemat e propozuara parashikon kredi për blerjen e apartamenteve me vlerë deri në 60 mijë euro dhe interes 0%. Për banesat mbi këtë vlerë, shteti do të subvencionojë pjesën e normës së interesit që kalon 3%, ndërsa kredia do të mbulojë 100% të vlerës së apartamentit. Kufiri maksimal i kësaj skeme pritet të jetë rreth 200 mijë euro, por ende nuk është finalizuar.

Ministrja tha se konsultimet me ndërtuesit kanë treguar se në rrethinat e Tiranës ekzistojnë apartamente me sipërfaqe më të vogla dhe çmime që mund të përfshihen në skemën deri në 60 mijë euro. Kjo pritet të krijojë mundësi për përfituesit që nuk mund të përballojnë çmimet e banesave në qendër të kryeqytetit.

Reforma parashikon gjithashtu subvencionimin e qirasë deri në 500 euro, ku qeveria do të mbulojë gjysmën e vlerës. Skema synon profesionistët dhe familjet e reja, ndërsa hapja e aplikimeve parashikohet në muajin nëntor, pas përfundimit të ndryshimeve ligjore dhe akteve zbatuese.

Nga viti i ardhshëm pritet të aplikohet edhe një model i ri ndërtimi me përdorim të përzier. Sipas propozimit, 30% e banesave do të jenë për strehim social, 40% për strehim të përballueshëm dhe 30% për tregun e lirë. Qëllimi është që kategoritë e ndryshme të banimit të integrohen në të njëjtat ndërtesa dhe lagje.

Në kuadër të reformës do të ridimensionohet edhe Agjencia e Zhvillimit të Territorit, e cila pritet të marrë një rol më të gjerë në zbatimin e politikave të strehimit dhe lidhjen e tyre me planifikimin territorial.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat