Rajoni Postuar më 17 Maj 2022, 13:15

Stabilizim i çmimeve deri në fund të vitit - Banka Qendrore në Maqedoninë e Veriut pret rritje te ekonomisë 2,9% këtë vit!

Nga SCAN TV

Guvernatorja e Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Anita Angelovska Bezhovska, shprehet se në gjysmën e parë të këtij viti do të arrihet norma më e lartë e rritjes së inflacionit dhe do të ngadalësohet gradualisht deri në fund të vitit.

Sipas saj, institucionet monetare ndërkombëtare presin stabilizim mesatar të çmimeve të lëndëve të para deri në fund të vitit. Rritja ekonomike e vendit do të ngadalësohet për vitin aktual. Në projeksionet e fundit, Banka Popullore uli pritjet për rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto nga 3,9 në 2,9 për qind për këtë vit. Norma e inflacionit pritet të jetë 8.8 për qind.

Banka Popullore nuk e përjashton mundësinë e korrigjimit të normave të interesit të bonove të thesarit për ta zbutur inflacionin. Nëse Banka Qendrore Europiane ndërmerr hap të tillë, do të reagojë edhe Banka Qendrore e Maqedonisë së Veriut. Sipas Guvernatores, në përgjithësi, pritjet janë që normat e interesit të rriten, por po tentohet të bëhet në mënyrë mesatare për të mos pasur ndikim të rëndësishëm në aktivitetin kreditues për individët.

Në mbledhjen e saj të fundit pak ditë më parë, Banka Qendrore rriti normën e interest me 0,25 pikë përqindje në 1,75%. Të dhënat e fundit tregojnë se inflacioni, në prill 2022 u përshpejtua dhe arriti normë vjetore prej 10,5%, gjë që tregon se inflacioni këtë vit do të jetë më i lartë se sa pritej sipas parashikimeve të fundit.

Lëvizjet në inflacionin vendas janë të lidhura me inflacionin global, duke përfshirë edhe atë në rajonin e Europës Qendrore dhe Juglindore, ku inflacioni mesatar për muajin prill është rreth 11%. Faktorët kryesorë për zhvendosjen e nivelit të çmimeve mbeten faktorët në anën e ofertës, kryesisht çmimet e ushqimeve dhe energjisë elektrike, si pasojë e rritjes së çmimeve të lëndëve të para në bursat botërore.

Banka Qendrore e Maqedonisë së Veriut pret që inflacioni pritet të bjerë në 3 për qind vitin e ardhshëm, ndërsa Prodhimi I Brendshëm Bruto pritet të rritet me 3.6 për qind. Duke pasur parasysh pasigurinë deri në fund të vitit, Banka Qendrore mund të ketë rishikim shtesë të pritjeve makroekonomike.

SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat