Shqipëria Postuar më 15 September 2026, 13:29

Shtyhet Censi i Bujqësisë - Shqipëria pret deri në 2027 për “fotografinë” e fermave dhe bagëtive

Nga Ernilda Luzi

Censi i Bujqësisë nuk do të zhvillohet këtë vit. Burime pranë INSTAT bëjnë me dije për SCAN TV se numërimi i tokës bujqësore, fermave dhe blegtorisë do të kryhet gjatë vitit 2027.

Procesi ishte parashikuar të niste në muajin tetor, por miratimi i projektligjit në Kuvend vetëm në korrik të vitit 2026 ka ngushtuar ndjeshëm afatet për përgatitjet teknike dhe organizative.

Censi i ri pritet të zgjasë rreth katër javë, ndërsa në terren do të angazhohen rreth 3,400 anketues. Ata do të regjistrojnë të dhëna për sipërfaqet e tokës së mbjellë, kulturat bujqësore, fermat, bagëtitë, makineritë bujqësore dhe personat e punësuar në këtë sektor.

Bëhet fjalë për një proces të rëndësishëm për të pasur një pasqyrë të përditësuar të bujqësisë shqiptare, veçanërisht pas më shumë se një dekade nga Censi i fundit.

Censi i fundit i Bujqësisë u zhvillua në vitin 2012, ndërsa procesi i ri ishte parashikuar fillimisht për vitin 2022. Që prej atëherë, zhvillimi i tij është shtyrë disa herë.

Kostoja e parashikuar për realizimin e Censit arrin në rreth 1.08 miliardë lekë, ose rreth 11.7 milionë euro.

Kështu, “fotografia” e re e bujqësisë dhe blegtorisë shqiptare do të duhet të presë edhe një vit. Procesi pritet të zhvillohet në vjeshtën e vitit 2027.

Shqipëria 15 September Edel Strazimiri

Sa këmbehen sot valutat kryesore?

Dollari amerikan vijon te mos rikuperojë ndaj monedhës vendase duke mbetur ende nen kuotën e 80 lekë teksa është blerë mëngjesin e sotëm me 79.1 lekë dhe......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat