Analiza Postuar më 18 September 2026, 02:13

Shqipëria, rritje rekord në fluturime/ Vendi kryeson rajonin, ndërsa Europa shënon një rritje shumë më të ulët

Nga Eldiona Serani

Screenshot-2026-07-08-165209.png

Shqipëria ka regjistruar një rritje të fortë të numrit të fluturimeve komerciale gjatë gushtit 2026. Sipas të dhënave të Eurostat numri i fluturimeve u rrit me 22% krahasuar me gushtin e vitit 2025, duke e renditur vendin ndër tregjet europiane me zgjerimin më të madh të aktivitetit ajror.

Rritja shqiptare është dukshëm mbi mesataren e Bashkimit Europian, ku numri i fluturimeve komerciale u rrit me vetëm 2.3% në të njëjtën periudhë. Diferenca tregon ritmin e lartë me të cilin është zgjeruar aktiviteti ajror në Shqipëri gjatë një prej muajve më të rëndësishëm të sezonit turistik.

Edhe në krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria regjistron rritjen më të lartë. Pas saj renditet Mali i Zi me 16.1% dhe Maqedonia e Veriut me 15.8%, ndërsa Serbia shënoi një rritje prej 3.1%.

Në Bosnje & Hercegovinë, në ndryshim nga vendet e tjera të rajonit, numri i fluturimeve pësoi një rënie të lehtë prej 0.2%.

Këto të dhëna e vendosin Shqipërinë në një pozicion të veçantë në rajon, me një ritëm rritjeje që është rreth 10 herë më i lartë se mesatarja e BE-së.

Rritja e fluturimeve nuk ka qenë e njëjtë në të gjithë Europën. Disa prej tregjeve të rëndësishme europiane regjistruan rënie gjatë gushtit.

Rënia më e madhe në të dhënat e paraqitura u regjistrua në Islandë, me 5.9%, e ndjekur nga Austria me 4.7%, Qipro me 3%, Gjermania me 2.4% dhe Holanda me 2%. Ulje të numrit të fluturimeve pati edhe në Kroaci dhe Rumani me nga 1.1%, në Francë me 0.5% dhe në Belgjikë me 0.2%.Në krahun tjetër, disa vende europiane patën rritje të konsiderueshme. Sllovakia shënoi një rritje prej 37%, më e larta në listën e vendeve të dhëna, ndërsa Malta u rrit me 12.4%. Rritje të tjera të dukshme u regjistruan në Estoni (+8.3%), Poloni (+7.8%), Slloveni (+7.4%), Lituani (+6.8%) dhe Itali (+5.7%).

Në tërësi, shifrat e gushtit tregojnë një zgjerim të fortë të aktivitetit ajror në Shqipëri, me rritjen prej 22% që është shumë mbi ritmin europian dhe mbi atë të fqinjëve të saj në Ballkanin Perëndimor. Të dhënat përkojnë me një periudhë të ngarkuar të sezonit veror, kur flukset turistike dhe udhëtimet ajrore arrijnë nivele të larta.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat