Europa Postuar më 18 September 2026, 10:21

Franca shkurton shpenzimet - Qeveria 54 miliardë euro kursime, shtohen protestat për çmimet e energjisë

Nga Edel Strazimiri

images (1).jpg

Franca po përgatitet për një plan kursimesh prej 54 miliardë eurosh në buxhetin e vitit 2027, në përpjekje për të frenuar deficitin publik dhe kostot në rritje të borxhit.

Kryeministri Sébastien Lecornu deklaroi se masat do të synojnë uljen e shpenzimeve të qeverisë qendrore, pushtetit vendor dhe skemave sociale, ndërsa premtoi se nuk do të ketë rritje taksash.

Sipas qeverisë, pa këto masa deficiti publik do të kalonte 6.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa objektivi është që ai të ulet në 5% në vitin 2027.

Por plani për shtrëngimin e financave publike po përballet me presion të fortë politik dhe social. Peshkatarët bllokuan porte në jug të Francës, në shenjë proteste ndaj çmimeve të larta të karburanteve, ndërsa gjatë ditëve të fundit kanë protestuar edhe punonjës të sektorit energjetik dhe policia.

Qeveria duhet ta paraqesë projektbuxhetin në fund të muajit, në një Parlament të përçarë, ndërsa kostot e huamarrjes së Francës janë rritur në nivelet më të larta që nga viti 2008.

Miratimi i buxhetit pritet të jetë veçanërisht i vështirë. Socialistët kanë sinjalizuar se nuk do ta mbështesin, ndërsa Marine Le Pen ka paralajmëruar kundërshtimin e saj nëse pensionet nuk rriten në përputhje me inflacionin.

Ndërkohë, qeveria ka zgjatur deri në fund të vitit subvencionet e emergjencës për karburantet për sektorët e bujqësisë, peshkimit dhe ndërtimit.

Kryeministri Lecornu deklaroi se qeveria do të kërkojë kompromis në Parlament, duke e vendosur stabilitetin financiar në qendër të betejës për buxhetin e vitit të ardhshëm.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat