Shqipëria Postuar më 18 September 2026, 10:15

Borxhet e shqiptarëve - Nga kreditë te kartat e kreditit, sa i detyrohen qytetarët dhe bizneset, bankave?

Nga Ledina Elezi

Për shumë qytetarë, ndonjëherë paga është e pamjaftueshme për të kryer shpenzime të mëdha apo për të lënë disa kursime mënjanë në fund të muajit. Si pasojë e këtyre mungesave, për të investuar dhe blerë një shtëpi, makinë, pajisje elektroshtëpiake apo mbuluar ngjarje të papritura emergjente, dera të cilës i drejtohen qytetarët, janë kryesisht bankat.

Marrëdhënia bankë-qytetar është merr dhe jep. Dy produktet më tradicionale të tyre janë kreditë dhe depozitat. Në rastin e kredisë, banka të financon me një shumë të caktuar parash, të cilën ti e kthen çdo muaj nga pak, bashkë me një interes. Në rastin e depozitave, ti i jep para bankës që të t'i ruajë, banka i përdor për të dhënë kredi ose investuar në tituj qeveritarë, ndërsa më pas t'i kthen bashkë me një interes. Sipas këtij cikli qarkullon paraja në banka.

Të dhënat më të fundit nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në gjysmën e parë të këtij viti, qytetarët kanë kryer 1.1 milion pagesa për këst kredie, ndërsa bizneset rreth 188 mijë. Këstet e paguara të kredive kapin një vlerë prej 40 miliardë lekësh, vetëm për individët. Ndërkohë, bizneset kanë shlyer më pak këste kredish, por në shuma më të mëdha se qytetarët. Shifrat kanë qenë në rritje nga tremujori i parë në të dytin.

Një tjetër formë huadhënieje janë kartat e kreditit. Kartat e kreditit janë një mjet financiar që lejon huamarrjen afatshkurtër. Ato u mundësojnë mbajtësve të marrin hua para për të paguar mallra dhe shërbime nga tregtarët që pranojnë karta për pagesë. Kartat e kreditit kanë limite të paracaktuara të huamarrjes bazuar në vlerësimin e kreditit të një individi. Deri në datën e faturimit, mbajtësit e kartave duhet të paguajnë paratë e marra hua, plus çdo interes të zbatueshëm dhe çdo tarifë shtesë të rënë dakord.

Sipas statistikave, shqiptarët kanë shlyer thuajse 11 miliardë lekë në kartat e kreditit gjatë periudhës janar-qershor, ndërsa bizneset vetëm 2 miliardë lekë.

Kreditë që marrin bizneset janë padyshim në vlera tepër të mëdha, prandaj edhe shuma e kësteve tejkalon atë të individëve. Për sa i përket kartave të kreditit, individët vijojnë të mbeten klientët kryesorë të bankave.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat