Shqipëria Postuar më 18 September 2026, 11:15

Presidenti Begaj dekreton ligjin për pagat e magjistratëve

Nga Ernilda Luzi
Presidenti Begaj dekreton ligjin për pagat e magjistratëve

 

Vetëm pak orë pasi Kuvendi kaloi ndryshimet nw ligjin për pagat e sistemit të drejtësisë, Presidenti i Republikës ka nxjerrë dekretin për shpalljen e ligjit.

Bëhet fjalë për ligjin nr. 95/2026, që parashikon shtesa dhe ndryshime në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. Presidenti kishte dhënë më herët pëlqimin për hyrjen e menjëhershme në fuqi të ligjit, pas kërkesës së Kuvendit dhe argumentit se situata kërkonte ndërhyrje urgjente.

Shfuqizimi i dispozitave për pagat e magjistratëve, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, kishte sjellë bllokimin e pagesave për gjyqtarët dhe prokurorët që prej 1 gushtit 2026. 

Sipas argumentimit të Kuvendit, pa hyrjen në fuqi të ligjit të ri, Thesari i Shtetit nuk mund të procedonte me pagesat. Synimi është që pagat e prapambetura, që prej 1 gushtit, si dhe pagesat në vijim, të mund të zhbllokohen nga Thesari që prej 18 shtatorit.

Presidenti argumenton se, nëse ligji do të ndiqte procedurën e zakonshme të hyrjes në fuqi, procesi do të shtyhej me rreth 15 deri në 35 ditë. Sipas Presidencës, dhënia e pëlqimit për hyrjen e menjëhershme në fuqi është një instrument kushtetues, i diktuar nga nevoja dhe urgjenca e situatës.

Në qëndrimin e tij, Presidenti thekson se argumentet dhe kundërargumentet kushtetuese për masën e pagave mund të diskutohen edhe në instancat kompetente. Por, për zhbllokimin e pagesave, sipas tij, rruga ligjore kalon përmes hyrjes në fuqi të ligjit të ri.

Presidenca e lidh këtë vendim edhe me parimin e pavarësisë së gjyqësorit, duke e konsideruar garantimin e të ardhurave dhe të standardit të jetesës së magjistratëve një nevojë të menjëhershme.

Me dekretimin e ligjit, pritet tashmë procedimi i pagesave për gjyqtarët dhe prokurorët, të cilat kanë qenë të bllokuara që nga 1 gushti 2026

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat