Rajoni Postuar më 18 September 2026, 10:23

Unifikimi i pagave publike - Shkupi nis reformën për një administratë më transparente, me kritere të njëjta

Nga Edel Strazimiri

Maqedonia e Veriut po përgatit një sistem të vetëm dhe të harmonizuar për pagat në sektorin publik. Reforma synon të vendosë rregulla më të njëjta për përcaktimin e pagave dhe klasifikimin e vendeve të punës, me asistencën e ekspertëve grekë përmes programit europian TAIEX.

Sot, pagat në administratën publike përcaktohen sipas ligjeve, marrëveshjeve kolektive dhe koeficientëve të ndryshëm, në varësi të institucionit apo kategorisë së punonjësve. Sistemi i ri synon të krijojë një kuadër të përbashkët, ku pozicionet e ngjashme të krahasohen sipas përgjegjësive, kompleksitetit, ekspertizës dhe përvojës.

Reforma nuk nënkupton automatikisht rritje apo ulje të pagave për të gjithë punonjësit. Qëllimi është të ndryshohet mënyra se si përcaktohen pagat dhe të krijohen kritere më të qarta për klasifikimin dhe avancimin në administratë.

Një tjetër element është digjitalizimi i të dhënave për punonjësit, pozicionet, pagat dhe përfitimet. Sipas modelit që po shqyrtohet, kjo do t’i mundësonte shtetit të ketë një pasqyrë më të qartë të numrit të të punësuarve dhe kostos së tyre për buxhetin.

Greqia është marrë si shembull për sistemin e saj të centralizuar të pagesave, ndërsa reforma në Shkup lidhet edhe me objektivat për rritjen e transparencës, kontrollin e shpenzimeve dhe menaxhimin më efikas të administratës publike.

Modeli pritet të përcaktojë më qartë se sa paguhet një pozicion, cilat janë kriteret për avancim dhe si krahasohen vendet e punës në institucione të ndryshme. Megjithatë, ndryshimi i pagave konkrete do të vijë vetëm pasi të miratohen rregullat e reja.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat