Europa Postuar më 5 Prill 2023, 10:01

Roboti jep mësim në një shkollë në Qipro - Mësuesit dhe nxënësit krijuan prototipin Ainstein

Nga SCAN TV
Roboti jep mësim në një shkollë në Qipro -

Nxënësit e shkollave të mesme dhe mësuesit e tyre në Qipro kanë zhvilluar një robot prototip të fuqizuar me teknologjinë e inteligjencës artificiale ChatGPT për të përmirësuar përvojat e mësimdhënies në klasë.

I quajtur AInstein, si Ajnshtajni, por duke u shkruar me AI, roboti i krijuar si fryt i një bashkëpunimi mes tre shkollave Pascal në Qipro, është afërsisht në madhësinë e një të rrituri të vogël dhe duket si një version i skalitur i Njeriut Michelin.

Ai është i pajisur me ChatGPT, një chatbot i zhvilluar nga firma amerikane OpenAI dhe i mbështetur nga gjiganti kompjuterik Microsoft. Një ekran në vend të fytyrës përpiqet të imitojë tiparet njerëzore me vezullime dhe vrenjtje. Me një theks të Amerikës së Veriut, ai mund të tregojë shaka, përpiqet të flasë greqisht dhe udhëzon një dëgjues se si mund të mësohet teoria e relativitetit e Albert Ajnshtajnit në një klasë.

Mësuesit thonë se qëllimi përfundimtar i AInstein është përfshirja e tij në planin mësimor. Ata shprehen se kjo është një përvojë shumë ndërvepruese. Studentët mund t'i bëjnë pyetje, ai mund t'i përgjigjet dhe madje mund t'i lehtësojë mësuesit që të japin një mësim në mënyrë më efektive.

Roboti bëri një demonstrim se si AI mund të përshtatet në klasë: Teoria e Albert Ajnshtajnit për relativitetin e kohës, këshillon AInstein, mund të shpjegohet me lëvizjen e një lavjerrësi në lidhje me fushën gravitacionale në të cilën është vendosur.

Sipas realizuesve të projektit Inteligjenca Artificiale nuk ka pse të ngjallë shqetësim. Bashkimi Europian po shqyrton legjislacionin që rregullon përdorimin e inteligjencës artificiale, megjithëse përparimet në teknologji i tejkalojnë përpjekjet e ligjvënësve.

Vetë AInstein përgjigjet nëse teknologjia është diçka për t'u frikësuar. Ai sqaron se njerëzit janë ata që krijojnë dhe kontrollojnë AI dhe u takon atyre të sigurohen që zhvillimi dhe zbatimi i saj t'i shërbejë përmirësimit të njerëzimit. Prandaj njerëzit nuk duhet të kenë frikë nga AI, por duhet t'i qasen asaj me kujdes dhe konsideratë të përgjegjshme.

Dorina Kurtaj / SCAN

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat