Shqipëria Postuar më 12 Korrik 2022, 12:26

Qindra prona të sekuestruara, por ka hezitim për t’i marrë me qira - Agjencia: Kërkesat janë të kufizuara, madje në 2021 disa kanë kërkuar prishjen e kontratave

Nga SCAN TV
Qindra prona të sekuestruara, por ka hezitim për t’i marrë

Ndërsa numërohen qindra pasuri të krimit të sekuestruara apo konfiskuara nga shteti, shumë pak prej tyre jepen me qira duke siguruar të ardhura për arkën e shtetit. Scan Televizion ka zbardhur të dhënat zyrtare të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, sipas të cilave, shteti ka arkëtuar vetëm rreth 500 mijë dollarë prej tyre, në një kohë që disa prej këtyre pasurive janë objekte luksoze në zona mjaft të kërkuara të bregdetit apo kryeqytetit. Ndërkohë që edhe më të ulëta janë të ardhurat nga interesat e llogarive bankare të konfiskuara.

Për t’u shënuar është se Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara ka qenë veçanërisht e ngarkuar gjatë vitit të shkuar. Në qershor të vitit 2021 arrin në total 54 milionë euro vlera e aseteve të luajtshme e të paluajtshme të bllokuara për llogari të Agjencisë.

Nga apartamente, vila, dyqane, garazhe, deri fshatra turistikë, toka arë apo pemishte: në total janë 312 prona në zotërim të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara të cilat parashikohen të jepen me qira për llogari të shtetit. Në total, rezultojnë 145 objekte të dhëna me qira, nga të cilat Agjencia ka arkëtuar pak më shumë se 50 milionë lekë gjatë vitit të shkuar.

Por duket se kjo nuk ndodh për shkak të hezitimit të bizneseve apo qytetarëve për t’i marrë në përdorim, madje Agjencia raporton se gjatë vitit 2021, ka pasur edhe tërheqje të subjekteve nga kontratat e qirave.

“Të gjitha pasuritë e sekuestruara dhe konfiskuara, janë publikuar për dhënie me qira, por kërkesat për marrje me qira kanë qenë të kufizuara dhe për disa pasuri nuk ka fare shprehje interesi. Gjatë vitit 2021, disa qiramarrës për arsye të ndryshme , kanë kërkuar prishjen e kontratave të qirasë, duke e bërë të vështirë sigurimin e të ardhurave të parashikuara, nga kontratat e lidhura më parë”, raporton Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara.

Lorenc Rabeta / SCAN

 

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat