Bota Postuar më 12 Korrik 2022, 09:52

Euro bie pranë nivelit të paritetit me dollarin - Kriza e mundshme energjetike në Europë, presion mbi monedhën 

Nga SCAN TV
Euro bie pranë nivelit të paritetit me dollarin - Kriza e mundshme

Euro ka shkuar pranë nivelit të paritetit me dollarin amerikan në sesionin e sotëm, për herë të parë në 20 vitet e fundit, për shkak të shqetësimeve se kriza e energjisë do ta çojë Europën në recesion. Në anën tjetër, Rezerva Federale në SHBA vijon me politikën agresive të rritjes së interesave për ta “ftohur” inflacionin. Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan, përballë monedhave kryesore ndërkombëtare, po qëndron në mbi 108, që gjithashtu është niveli më i lartë që nga tetori i vitit 2002.

Gazsjellësi i vetëm që transporton gaz nga Rusia drejt Gjermanisë, Nord Stream 1, filloi të hënën procesin e mirëmbajtjes vjetore dhe do të qëndrojë i mbyllur për të paktën 10 ditë. Por, qeveritë, tregjet dhe kompanitë janë të shqetësuar se Rusia mund ta shtyjë akoma më shumë mbylljen e gazsjellësit për shkak të luftës në Ukrainë.

Situata e pasigurt në Europë ka ulur edhe bastet për fushatën shtrënguese të politikave monetare nga Banka Qendrore Europiane, ndërsa Banka e Japonisë është angazhuar në mënyrë të përsëritur për stimuj të jashtëzakonshëm. Rezerva Federale është banka qëndrore që po vijon me politikat shtrënguese dhe në takimin e këtij muaji, pritet të rrisë normën bazë të interesit me 75 pikë bazë për herë të dytë me radhë. Në tregun e kriptomonedhave, vijon tendenca në rënie, me bitcoin që ka zbritur poshtë 20 mijë dollarëve. Ndërsa ethereum po tregtohet në rreth 1080 dollarë.

SCAN

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat