Shqipëria Postuar më 19 September 2026, 10:32

Pronat në bashkëpronësi - Si do bëhet kompensimi i subjekteve private për pjesët takuese

Nga Elisabeta Dosku

prona shtepi.jpg

Projektligji i ri për pasuritë e paluajtshme përcakton se si mund të zhvillohen pronat shtetërore në bashkëpronësi dhe çfarë përfitojnë subjektet private. 

Referuar nenit 44 të projektligjit, pronat e paluajtshme shtetërore mund të përdoren në përputhje me këtë ligj dhe legjislacionin për zhvillimin e territorit, me qëllim realizimin e objektivave ekonomike, sociale ose funksioneve publike që justifikojnë ndërhyrjen shtetërore.

Kur mbi një pronë të paluajtshme shtetërore parashikohet vënia në përdorim, ekzistojnë tituj pronësie ose të drejta reale të subjekteve private, organi publik kompetent për vënien në përdorim të pronës, realizon konsolidimin e saj, nëpërmjet individualizimit në terren të pjesëve takuese për secilin bashkëpronar, në funksion të projektit të zhvillimit të pasurisë.

Konsolidimi dhe individualizimi kryhen mbi bazën e aktit teknik-vlerësues, të hartuar nga një ekspert të licencuar në fushën e vlerësimit të pasurive të paluajtshme, i emëruar nga organi publik kompetent në përputhje me rregullat e emërimit të parashikuara me vendim të Këshillit të Ministrave. 

Pjesa e individualizuar në terren e subjektit privat në funksion të konsolidimit të pronës shtetërore, nuk mund të jetë më pak se pjesa ideale e subjektit privat sipas titullit të pronësisë dhe/ose të drejtës reale.

Për çdo diferencë negative të përcaktuar, organi publik përgjegjës për vënien në përdorim të pronës, kompenson në vlerë financiare subjektin privat. Kompensimi financiar duhet të përcaktohet para fillimit të përdorimit të pronës dhe të depozitohet në një llogari të posaçme bankare.

Akti teknik-vlerësues, së bashku me vendimin për miratimin e vënies në përdorim të pronës dhe akti administrativ i organit publik kompetent, përbëjnë dokumentacionin e nevojshëm për regjistrim pranë Agjencisë Shtetërore të Pronës. 

Rregullat e përgjithshme dhe procedurat për mënyrën se si kryhet individualizimi i pronave të paluajtshme në zbatim të kësaj dispozite, emërimi i ekspertëve, formati i aktit teknik-vlerësues, kriteret e vlerësimit dhe procedura e kompensimit financiar, do të përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave. 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat