Shqipëria Postuar më 17 Maj 2023, 16:01

Programi “Young Cells”/ Ambasadorja e BE-së: Projekti synon që administrata publike të arrijë standardet e BE-së!

Nga SCAN TV
Programi “Young Cells”/ Ambasadorja e BE-së: Projekti synon

Gjatë prezantimit të programit “Young Cells”, në konferencën e organizuar nga Departamenti i Administratës Publike në bashkëpunim me ministren e Shtetit për Standardet e Shërbimeve, Milva Ekonomi, ambasadorja e delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Christiane Hohmann u shpreh se reforma në administratën publike është një prej piketave në procesin e negociatave me Bashkimin Europian.

Ambasadorja informoi se 25 nëpunës të rinj civilë do të marrin pjesë në këtë program dhe me anën e trajnimeve, shkëmbimeve e stazheve do të kuptojnë se si është administrata publike në shtetet anëtare, si funksionon dhe si është e strukturuar dhe theksoi se projekti synon që administrata të arrijë standardet e BE-së.

Ajo vuri në dukje gjithashtu se Shqipëria është në hapat e parë të negociatave dhe administrata publike dhe reforma e saj është pjesë e grupkapitujve të parë, të cilët janë kapitujt më të rëndësishëm pasi kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, me ekonominë, me sundimin demokratik të një shteti.

Ndërkaq Drejtoresha e Departamentit të Administratës Publike (DAP), Albana Koçiu siguroi sot angazhimin për krijimin e një administrate publike të qëndrueshme, të depolitizuar dhe me një profesionalizëm të lartë. Në prezantimin e programit “Young Cells” që synon fuqizimin e administratës publike, Koçiu vuri në dukje se “ky program mundësohet falë mbështetjes së BE-së përmes fondeve IPA 2020”.

Ajo shprehu bindjen se programi do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në motivimin e nëpunësve civilë si një hap cilësor në përmirësimin e mëtejshëm të punës në administratën e institucioneve tona. Koçiu informoi se për herë të parë ky program do t’u ofrohet jo vetëm nëpunësve civilë të administratës qendrore, por edhe nëpunësve të institucioneve të pavarura si dhe njësive të vetëqeverisjes vendore, duke hapur dyert për nëpunësit civil në të gjithë Shqipërinë.

Sipas saj synimi është që nga kjo skemë të përfitojnë nëpunësit civilë që janë relativisht të rinj për nga eksperienca e tyre në shërbimin civil, specialistë apo përgjegjës sektori, por që në ndërkohë, kanë nga 3-8 vite eksperiencë pune në administratën publike.

Edel Strazimiri / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat