Bota Postuar më 17 Tetor 2023, 15:40

Norma të larta interesi për një kohë më të gjatë - Ekonomistët dhe guvernatorët qendrorë e konfirmojë njëzëri

Nga SCAN TV
Norma të larta interesi për një kohë më të

Ekonomistët dhe bankierët qendrorë duket se janë dakord për një gjë: normat e interesit do të qëndrojnë të larta për një kohë më të gjatë, duke turbulluar perspektivën për tregjet globale. Bankat qendrore në mbarë botën kanë rritur në mënyrë agresive normat e interesit gjatë 18 muajve të fundit, në përpjekje për të frenuar inflacionin në rritje, me shkallë të ndryshme suksesi deri më tani. Përpara se të ndalonte ciklin e rritjes në shtator, Rezerva Federale në SHBA kishte rritur normën bazë të interesit nga intervali prej 0.25-0.5% në mars të 2022 në 5.25-5.5% në korrik të këtij viti.

Pavarësisht kësaj pauze, zyrtarët e Fed kanë sinjalizuar se normat mund të qëndrojnë më të larta për më shumë kohë, nëse inflacioni do të kthehet në mënyrë të qëndrueshme në objektivin prej 2% të bankës qendrore.

Këtë parashikim e mbështeti edhe presidenti i Bankës Botërore Ajay Banga, i cili tha në një konferencë për mediat në takimet e FMN-së dhe Bankës Botërore javën e kaluar, se normat e interesit ka të ngjarë të qëndrojnë më të larta për më gjatë dhe të komplikojnë peizazhin e investimeve për kompanitë dhe bankat qendrore në mbarë botën, veçanërisht mes tensioneve të vazhdueshme gjeopolitike.

Inflacioni në SHBA është tërhequr ndjeshëm nga kulmi i arritur në qershor të vitit 2022 prej 9.1%, por gjithsesi u rrit lehtë në shtator në 3.7%, sipas raportit të Departamentit të Punës. “Sigurisht, ne do të shohim norma më të larta për më gjatë, edhe për faktin se inflacioni në SHBA u rrit lehtë gjatë shtatorit, që ishte zhgënjyes për investitorët që prisnin një ngadalësim të mëtejshëm,” deklaroi Greg Guyett, CEO për sektorin bankar dhe tregjet pranë HSBC, gjatë takimeve të FMN dhe Bankës Botërore që u zhvilluan në Marrakesh të Marokut.

Ai shtoi se shqetësimet rreth kostove vazhdimisht të larta të huamarrjes po rezultonin në një “mjedis shumë të qetë marrëveshjesh” me emetim të dobët të kapitalit dhe të Ofertave Fillestare Publike.

Muajin e kaluar, Banka Qendrore Europiane ndërmorri rritjen e 10 me radhë të normës bazë të interesit, duke e çuar në një rekord prej 4%, pavarësisht shenjave për ngadalësimin e inflacionit në ekonominë e Eurozonës. Megjithatë, BQE sinjalizoi se një rritje e mëtejshme e normave të interesit nuk është në tavolinën e diskutimeve për momentin. Disa guvernatorë të bankave qëndrore dhe anëtarë të Këshillit Drejtues të BQE kanë sinjalizuar se mundësia mbetet e hapur për një tjetër rritje në takimin e dhjetorit, por gjithçka do të varet nga të dhënat ekonomike që do të publikohen. Edhe rritja e fundit e çmimeve të naftës, si pasojë e konfliktit mes Hamasit dhe Izraelit, mund t’i detyrojë bankat qëndrore të shtrëngojnë më tej politikën monetare.

Guvernatori i Bankës Kombëtare Kroate, Boris Vujçiç tha se sugjerimi se normat do të mbeten të larta për një kohë më të gjatë nuk është i ri, por tregjet si në SHBA ashtu edhe në Europë kanë qenë të ngadaltë për tu përshtatur. “Nuk mund të presim që normat të ulen përpara se të bindemi se inflacioni është në rrugën drejt objektivit afatmesëm, gjë që nuk do të ndodhë shumë shpejt”, tha Vujçiç për CNBC në Marrakech.

Inflacioni në Eurozonë ra në 4.3% në shtator, niveli më i ulët që nga tetori i vitit 2021 dhe Vujçiç tha se rënia pritet të vazhdojë pasi efektet bazë, shtrëngimi i politikës monetare dhe një ekonomi në stanjacion vazhdojnë të jenë panoramë kryesore.

Gjithashtu, edhe Guvernatori i Bankës Kombëtare të Austrisë, Robert Holzmann sugjeroi se rreziqet ndaj trajektores aktuale të inflacionit ishin prezente për shkak të shpërthimit të luftës Izrael-Hamas dhe shqetësimeve të tjera që mund të ndikonin në rritjen e çmimeve të naftës. “Nëse vijnë tronditje shtesë dhe nëse informacioni që kemi rezulton i pasaktë, mund të na duhet të rrisin edhe një herë tjetër normën e interesit, ose ndoshta edhe dy herë”, shtoi ai.

Lidion Kulla / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat