Shqipëria Postuar më 25 September 2026, 17:26

Kryeministri Rama në Këshillin Shqiptaro-Amerikan: Në Shqipëria demokracia po ndërton imunitetin e vet

Nga Scan TV

3803e563-ac9b-4877-8f43-dece83878274.jpg

Në fjalimin që mbajti në mbrëmjen gala të organizuar nga Këshilli për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane kryeministri Edi Rama duke ju referuar zhvillimeve aktuale deklaroi se “në Shqipëria sistemi demokratik po ndertin imunitetin e vet”.

 

Në vijim fjala e plotë e kryeministrit:

Më lejoni të them ca fjalë pa mbajtur një fjalë tjetër të gjatë. Dua së pari të falenderoj Ilirin dhe Martinin për këtë ftesë bujare. Dhe dua po ashtu t'i uroj një mirëseardhje të ngrohtë si pjesë e komunitetit shqiptar këtu, një miku të dashur, i cili nuk është pjesë e komunitetit tonë, por mban barrën për t'u marrë me komunitetin tone, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Mickoski.

Dua të shpreh kënaqësinë që ndaj këtë moment sonte me Glaukun, me Përparimin, me kryetarin e dashur Rama të Prishtinës.

I kërkoj sidoqoftë ndjesë gjithkujt që ndoshta do ndihet i shpërfillur, por më duhet të them që gjëja më e mirë që mund të më ndodhte sot ishte të gjendesha ulur krah “kumbarit” të komunitetit shqiptar zotit Sal Rusi. Meqë ra fjala për Sal Rusin dhe familjen e tij dhe kënaqësinë që i takova ata këtu sot, po kështu më bën të vuaj mungesën e dikujt që ka qenë gjithmonë i ftuar edhe nën strehën e tij.

Ai është Hashim Thaçi. Ai nuk është me ne sot këtu dhe ai nuk mund të jetë sot këtu sepse ky vend e tradhtoi. Sepse Joe Bideni që emërtoi George Ëashingtonin e Kosovës e tradhëtoi. Sepse edhe pse gjenerali Clark e disa miq të shkëlqyer amerikanë bënë më të mirën, ky vend nuk bëri më të mirën për Hashim Thaçin, ‘’George Ëashingtonin e Kosovës’’ dhe kjo s'më bën të ndihem mirë dhe dua ta ndaj me ju dhe do të ndalem këtu sepse nuk dua të them më shumë.

Askush nuk duhet të më keqkuptojë sepse kur them “tradhëtuar’’ e kam fjalën, ne jemi të gjithë shumë të vegjël edhe së bashku, nuk jemi të mëdhenj, por ne kemi kremtuar e do të kremtojmë gjithmonë faktin që si shqiptarë, jemi miq me më të mëdhenjtë e më të fortët, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndaj ndihem i tradhëtuar sepse jam i sigurtë që ky vend mund të kishte bërë më shumë. E së pari, e mbi të gjitha duke mos lejuar që kjo farsë të niste... edhe, gjeneral ndjesë, ju jam mirënjohës për gjithçka keni bërë në kapacitetin tuaj personal dhe më kujtohet që hera e fundit që u takuam përpara së sotmes ishte në Hagë në një restorant. Ju ishit atje edhe unë po ashtu, takohemi sërish sonte, por të dy në fakt shohim zhgënjyem një mik të madh, një udhëheqës të madh.

Më lini të ndryshoj temë, të vazhdoj me atë çfarë u përpoq të thoshte Martini për mua, po nuk ka të bëjë me mua. Ka të bëjë me vendin tonë, me atdheun tonë. Ka të bëjë me faktin se sa shumë ka ndryshuar përgjatë këtyre viteve. Ka të bëjë me faktin se sa shumë sonte, aktualisht na duhet të përballemi me një fakt shumë të thjeshtë që askush nuk ta fal suksesin. Dhe po, është viti i pestë a i gjashtë që kemi aeroportin më të madh në rajon, duke qenë shumë i madh, jo vetëm në terma relative, që është aeroporti me rritjen më të lartë në Europë, që është prej një sërë vitesh, por po kështu edhe në shifra absolute, më shumë udhëtarë se aeroporti që ka qenë gjithmonë më i madhi në rajon, më i madhi, i Beogradit.

Dhe do të vazhdojë sepse është vetëm fillimi. Sigurisht kjo nuk është shumë e thjeshtë që ta përtypin të gjithë, kush jemi ne, kush është Shqipëria që të jetë e aftë të rritet e të tregojë një të tillë kapacitet e aftësi për ndryshim. 

Sigurisht, ka forca që nuk kanë qejf të na shohin kështu dhe nuk po përpiqem të them që nuk kemi mangësi e nuk po përpiqem të them që nuk kemi probleme.

Martini në fjalën hapëse nuk harroi të përmendte korrupsionin, por varet shumë se si nga e sheh dhe e çuditshme është që ajo çfarë shqiptarët e shohin si problem, partnerët europianë e shohin si sukses. Sepse pyetja është, “a mund të ketë një vend më shumë korrupsion në rast se korrupsioni luftohet çdo ditë? A është e vërtetë që në një vend, ku korrupsioni është gjithkund, lufta kundër korrupsionit të ndodhë çdo ditë’’? Jo, nuk është. Ka pasur një kohë në Shqipëri ku korrupsioni ishte gjithkund e lufta kundër korrupsionit askund.

Sot shohim diçka krejt ndryshe. Dhe pa gjejeni. E shohim sepse sistemi demokratik i Shqipërisë ka nisur të ndërtojë imunitetin e vet, dhe nuk është më fjala thjesht për një udhëheqës apo një qeveri. Është fjala për një sistem pushtetesh të pavarura, që funksionojnë me gjithë defektet e tyre, me gjithë problemet e tyre dhe me të gjithë nevojën për t'u rritur e për t'u pjekur më tej, por sidoqoftë duke shfaqur çdo ditë faktin që nuk është më ky vendi ku mund të ecësh dorë për dorë me korrupsionin pa pasur asnjë pasojë. Dhe ky është një sukses i madh, ashtu siç është sukses i madh fakti që në një vend, ku deri 10 vjet më parë, kafshët dhe shpendët masakroheshin nga mijëra e mijëra gjuetarë europianë, që kalonin nëpër kufirin tonë që të bënin festë pa asnjë rregull, pa asnjë kontroll e të vrisnin majtas e djathtas duke lënë pas pirgje zogjsh të ngordhur, që u shndërruan në turpin e vendit tonë në faqet e ‘’National Geographic’’, sot vendi proteston për biodiversitetin. Vetëm 10 vjet më vonë, pasi ndaluam gjuetinë, pasi rritëm zonat e mbrojtura, pasi ndaluam shfrytëzimin e pyjeve, pasi e rritëm trefish numrin e shpendëve dhe kafshëve në vendin tonë, pasi rritëm shumëfish si kurrë më parë sipërfaqen e pyjeve të rikuperuara, tashmë kemi një ndjesi të re në një Shqipëri të re. Njerëzit duan më shumë.

Shqipëria ku njerëzit jetonin me idenë se mirë është se mund të jetë më keq nuk ekziston më. Sot nuk është mirë sepse mund të jetë më mirë dhe ky është një sukses i madh, siç është sigurisht një sukses i madh që jemi shumë herë më afër se ç‘ishim me diasporën shqiptare dhe po përgatitemi të hedhim një hap tjetër përpara: po përgatisim Bonot e Diasporës që më së fundi ta çojmë në një tjetër nivel përfshirjeje Diasporën sa i takon pjesëmarrjes në rritjen e vendit.

Sali më ngacmoi kur dëgjoi që PBB-ja jonë është 30 miliardë dollarë, por më duhet t'i thoja që nisëm me 12 miliardë, janë vetëm 10 vjet, është rritur me 2.5 herë dhe do të rritet edhe më shumë. Por si? Duke sjellë më shumë investime dhe po përgatitemi që të hedhim në vend miliarda jo vetëm me projektin e famshëm, por edhe të jashtëzakonshëm Kushner, por edhe me projekte të tjera të mëdha që kemi në proces e sipër.

Kështu që është një moment në kohë në Shqipëri që gjërat janë shumë të qarta, pasi kemi tejkaluar një epokë poshtërimi ku ishim ata që tregoheshin me gisht në Europë, ku të thoje që je shqiptar gjeje belanë, ku kushdo që donte të fitonte një palë zgjedhje në ndonjë vend evropian e kishte të lehtë duke treguar shqiptarët si delja e zezë.

Dhe tani, ndërkohë që kemi ardhur në një pikë ku gjithçka mund të jetë më mirë, na duhet të bëjmë zgjedhjen për të ëndërruar shumë më tepër pa pasur frikë. Për të kuptuar që ta bëjmë PBB-në aq të lartë sa Sal të mos qeshë më na duhet të bëjmë shumë më tepër me më shumë kurajë, pa përjashtuar në një betejë të pakuptimtë ideologjike zhvillimin e mbrojtjen e mjedisit dhe pa fajësuar të huajt që “po vijnë e po na marrin tokën”.

Gjatë muajve të fundit kam dëgjuar sloganin më të neveritshëm e më të turpshëm që u bë shumë i dëgjuar në Shqipëri: 'Shqipëria u përket shqiptarëve. Po në qoftë se do të kish qenë po e njëjta gjë për ato vende ku shkuan shqiptarët e lulëzuan për më tej, të gjithë ne nuk do të kishim mundur të bënim asnjë gjë, thjesht do të kishim ndenjur në shtëpi.

Kështu që imagjinojeni për një moment nëse Amerika do t'u përkiste amerikanëve dhe të gjithë shqiptarët do të shkonin në shtëpi; Italia u përket italianëve, të gjithë shqiptarët shkojnë në Shqipëri; dhe Greqia u përket grekëve dhe të gjithë shqiptarët kthehen në shtëpi, ku do të ishim? Do të ishim në epokën neonaziste 4.0. Jo, Shqipëria i përket Zotit dhe mikut, ashtu siç shtëpia e shqiptarit i përket Zotit dhe mikut dhe sigurisht është shtëpia e shqiptarit, por në shtëpinë e shqiptarit duhet të ketë vend për gjithkënd që bujt e vjen, qoftë për strehë e qoftë për të ofruar ndihmë.

Duke e përmbyllur fjalën time që rrezikon të bëhet po aq e gjatë sa ajo e Martinit, doja të thoja diçka tjetër, sepse Martini kaloi nga një pjesë paqe, paqe, paqe nga Shqipëria në Kosovë, në komunitetin shqiptar të Maqedonisë së Veriut, tek ai komunitet i vogël i Malit të Zi dhe tha të ndarë, të ndarë, të ndarë, të ndarë. A mos është Amerika e Bashkuar, Martin? A mos është Europa e Bashkuar? A njeh ndonjë vend demokratik sot të bashkuar? S'kanë qenë kurrë më në ndasi. Nuk i kam parë kurrë Shtetet e Bashkuara të Amerikës më të ndarë. Nuk kam parë kurrë Francën më të ndarë. Nuk kam parë kurrë Gjermaninë më të ndarë, s'kam parë asnjë.

Kështu që më lejo të them, në ndasi kemi qenë gjithmonë më të mirët, por tashmë nuk jemi më vetëm. Jemi në një klub të madh. Të gjithë janë të ndarë. Ka edhe më keq.

Të rinjtë tanë janë edhe më të ndarë e më në ndasi sesa vendet tona dhe ka dhe më keq: truri, mendja e fëmijëve tanë është e ndarë sepse ndërkohë që ne rrekemi të kuptojmë se si të mbrojmë vendet tona, si të mbrojmë demokracitë tona, si të mbrojmë klubin tonë të dashur NATO nga raketat e armikut, si të ndërtojmë kupolat e hekurta e kupola të florinjta, si të ndërtojmë mburoja që na mbajnë të sigurt në një luftë imagjinare të së ardhmes, e kemi lënë të gjithë trurin e fëmijëve tanë pa mburojë. Ndaj armiqtë e vendeve tona nuk kanë nevojë të na ndjekin pas me raketa: na sulmojnë duke u përzier me trurin e të rinjve tanë çdo orë përmes telefonit celular, përmes medias sociale.

E di, Zoti e bekoftë Amendamentin e Parë, por në qoftë se Amendamenti i Parë ka për qëllim të lejohet çdo lloj mbeturine e plehre, ndjesë se po hani, nuk po jetojmë më në civilizimin ku arsimi më i mirë, ku sjellja më e mirë, ku mënyra më e mirë e komunikimit mes njerëzve është zhvilluar. Po jetojmë barbarinë.

Pa gjejeni pak! Nuk bëjmë dot të njëjtën gjë me armiqtë tanë, sepse ata i kanë mbrojtur, kanë vënë mburojë për njerëzit e tyre. Ne nuk mund të shkojmë e të përzihemi me mendjet e fëmijëve kinezë sepse janë të mbrojtur dhe nuk po bëhem avokat apo më mirë nuk po them që jam avokat për të mbyllur median sociale. Nuk është se po avokatoj që të përndjekim apo të ndikojmë në lirinë e shprehjes. Ajo për të cilën avokatoj sot është që e vërteta kurrë nuk ka qenë më e shpërfillur, më e abuzuar, më e konsumuar në emër të gënjeshtrës, në emër të manipulimit dhe në emër të së keqes.

Më lini pra, ta mbyll njëherë e mirë duke thënë: po, jemi të ndarë. Po, këto ndasi në fund të fundit na dëmtojnë vetëm ne dhe ne shqiptarët jemi rritur duke e dëmtuar veten për shekuj të tërë. Po ka dhe një tjetër ndasi që po dëmton botën dhe është ndasia në vendet e mëdha që supozohet të na tregojnë rrugën. Është ndasia në vendet e mëdha që supozohet ta mbajnë pishtarin ndezur. Ndaj ju takon atyre të zgjedhin se çfarë duan të bëjnë, por së paku si shqiptarë le të mos tallemi me veten e t'i themi që kjo është diçka që mund ta zgjidhim të vetëm. Nuk mundemi. Ne shqiptarët do të mbetemi gjithmonë shqiptarë. E pa gjejeni, kur bota të bjerë në kolaps e njerëzimi të ketë marrë fund, do të ketë një shqiptar gjallë që të jetë dëshmitar e të thotë: “ju thamë”.

Faleminderit!

 

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat