Shqipëria Postuar më 3 October 2026, 11:09

Ndryshon fatura e energjisë ERE propozon rregulla të reja për pasqyrimin e konsumit, duhet info dhe për furnizuesit

Nga Ola Mitre

Ndryshon fatura e energjisë ERE propozon rregulla të reja për

Faturat e energjisë elektrike do të duhet të tregojnë qartë nëse konsumi është matur, është përllogaritur apo është deklaruar nga vetë klienti përmes leximit të matësit. Enti Rregullator i Energjisë ka nxjerrë për konsultim publik një projekt-rregullore që përcakton informacionin minimal që furnizuesit duhet t’u japin konsumatorëve, me qëllim që këta të mund të verifikojnë konsumin dhe shumën që paguajnë.

Një nga parashikimet kryesore lidhet me faturimin kur mungojnë të dhënat reale të matjes. Sipas projektit, kur këto të dhëna janë përkohësisht të padisponueshme ose të paarritshme për më shumë se një muaj, operatorët e rrjetit do të llogarisin vlera referuese zëvendësuese, sipas metodologjisë së miratuar nga ERE. Por përdorimi i këtyre vlerave nuk mund të zgjasë më shumë se tre muaj.

Dokumenti parashikon gjithashtu që, nëse furnizuesi nuk respekton afatin për vendosjen e një matësi të rregullt, faturimi për ditët pa matje përtej këtij afati të jetë zero. Ndërkohë, me kërkesë të konsumatorit, furnizuesi do të duhet të japë pa pagesë një shpjegim të qartë mbi përllogaritjen e faturës, veçanërisht kur ajo nuk bazohet në konsumin real.

Projekt-rregullorja kërkon edhe dokumentimin e çdo anomalie në konsumin e regjistruar, krahasuar me historikun e klientit. Këto raste duhet të shoqërohen me fotografi.

Ndërkohë, përtej konsumit dhe detyrimit financiar, fatura ose informacioni shoqërues duhet të përmbajë të dhëna mbi mundësinë e ndryshimit të furnizuesit, zgjidhjen jashtëgjyqësore të mosmarrëveshjeve dhe mjetin e krahasimit të ofertave të administruar nga ERE. 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat