Shqipëria Postuar më 3 October 2026, 10:54

BE financon Shqipërinë dhe Malin e Zi/ 23.1% nga Plani i Rritjes, në krye të rajonit për fondet evropiane për frymë

Nga Alida Lula

BE financon Shqipërinë dhe Malin e Zi/ 23.1% nga Plani i Rritjes,

Shqipëria po përfiton nivel të lartë të mbështetjes financiare evropiane në raport me popullsinë. Sipas raportit të OECD për konvergjencën ekonomike në Ballkanin Perëndimor, vendi ynë renditet i dyti në rajon pas Malit të Zi në rajon për fondet e BE-së për frymë gjatë periudhës 2021-2027.

Në Shqipëri, mbështetja mesatare arrin në 100.6 euro për banor në vit, ndërsa mesatarja për Ballkanin Perëndimor është 90.7 euro. Mali i Zi, kryeson me 152.6 euro për frymë, ndërsa pas Shqipërisë renditet Kosova me 97.5 euro. Shifrat përfshijnë angazhimet financiare nga IPA III dhe Instrumenti për Reforma dhe Rritje, duke përfshirë grante, prokurime, mbështetje buxhetore dhe, në rastin e instrumentit të dytë, edhe huatë. Mbështetja e Bashkimit Evropian për rajonin është rritur ndjeshëm gjatë viteve. Nga 3.8 miliardë euro në periudhën 2007-2013, fondet arritën në 4.2 miliardë gjatë ciklit 2014–2020, ndërsa për periudhën aktuale paketa IPA III dhe Instrumenti për Reforma dhe Rritje kap vlerën e 8.2 miliardë eurove. Edhe financimi për banor është rritur, nga 49.7 euro në vit gjatë IPA I, në ciklin pasues shifra shkoi në 53.3 euro, ndërsa aktualisht ka arritur në 90.7 euro për frymë në nivel rajonal.

Por, krahas fondeve të vëna në dispozicion, raporti evidenton edhe ritmin e përdorimit të tyre. Deri në gjysmën e parë të vitit 2026, nga Instrumenti për Reforma dhe Rritje ishin disbursuar 673.6 milionë euro, ose rreth 11.2% e shumës së disponueshme për periudhën 2024–2027. Në këtë drejtim, Shqipëria paraqitet ndër vendet me përqindjen më të lartë të financimit të marrë. Deri në mesin e vitit 2026, vendi kishte përfituar 23.1 për qind të fondeve të disponueshme nga ky mekanizëm, shumë pranë Malit të Zi me 23.3%. Më pas renditen Maqedonia e Veriut me 18.9 %, Serbia me 10.6 dhe Kosova me 7 %. Për Bosnjë-Hercegovinën, në momentin e hartimit të raportit, nuk kishte pasur ende disbursim. Instrumenti për Reforma dhe Rritje, është pjesë e Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, me një paketë prej 6 mld euro në grante dhe hua. Kjo mbështetje lidhet drejtpërdrejt me zbatimin e reformave ekonomike dhe institucionale, ndërsa synimi është afrimi gradual i vendeve të rajonit me ekonominë dhe tregun e përbashkët evropian edhe përpara anëtarësimit në Bashkimin Europian.

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat