Bota Postuar më 17 Tetor 2023, 21:37

Nafta, e qëndrueshme pranë 90 USD - SHBA mund të lehtësojë sanksionet ndaj Venezuelës

Nga SCAN TV
Nafta, e qëndrueshme pranë 90 USD - SHBA mund të

Nafta po tregtohet e qëndrueshme pranë 90 dollarëve, në sesionin e sotëm, ndërsa humbi rreth 1 dollar të hënën, pas lajmeve se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të lehtësojnë sanksionet ndaj Venezuelës. Gjithashtu, edhe angazhimi i Uashingtonit për të mos lejuar përhapjen e konfliktit mes Hamasit dhe Izraelit edhe në vende të tjera të rajonit ka ushtruar presion mbi çmimet.

Nafta Brent e Londrës po tregtohet pranë 90 dollarëve për fuçi, ndërsa nafta bruto amerikane po tregtohet pranë 87 dollarëve për fuçi. Qeveria dhe opozita në Venezuelë do të rifillojnë bisedimet e pezulluara prej kohësh, një lëvizje që mund të çojë në lehtësimin e sanksioneve nga Uashingtoni.

Që nga viti 2019, SHBA ka sanksionuar eksportet e naftës të Venezuelës, që është një anëtare e Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës, për të ndëshkuar qeverinë e presidentit Nicolas Maduro pas zgjedhjeve të vitit 2018, të cilat Uashingtoni i cilësoi të manipuluara për shkak të shkeljes të të drejtave të njeriut.

Të dyja kontratat u rritën ndjeshëm javën e kaluar për shkak të frikës se konflikti në Lindjen e Mesme mund të zgjerohet më tej. Për rrjedhojë, nafta Brent, që është bençmarku global, u rrit me 7.5%.

Megjithatë, rreziku mbetet prezent pasi ministri i Jashtëm i Iranit paralajmëroi se zgjerimi i mundshëm i luftës në fronte të tjera, po i afrohet fazës së pashmangshme. Administrata Biden po kërkon mënyra të tjera për të lejuar që nafta të qarkullojë në tregjet globale, në mënyrë që të ulen çmimet. Por çdo rritje reale e prodhimit të naftës nga Venezuela do të marrë kohë për shkak të mungesës së investimeve.

SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat