Shqipëria Postuar më 20 October 2026, 12:35

Më pak kredi për individët - BSH: Standardet e huadhënies nuk ndryshojnë. Rritet kërkesa për financimin e konsumit

Nga Ledina Elezi

Më pak kredi për individët - BSH: Standardet e huadhënies

Dëshira për të blerë një makinë, për të mobiluar shtëpinë apo për të përballuar shpenzimet e përditshme po shtyn gjithnjë e më shumë individë drejt kredive bankare. Por, a është bërë më e lehtë marrja e një kredie? Të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë se kërkesa për kredi është rritur, por miratimi i saj nuk është bërë më i lehtë.

Sipas Vrojtimit të Aktivitetit Kreditues për tremujorin e tretë të vitit 2026, bankat kanë raportuar rritje të kërkesës për kredi nga individët, kryesisht për financimin e konsumit. Me fjalë të thjeshta, qytetarët po kërkojnë më shumë hua për të blerë mallra dhe shërbime, si automjete, mobilie apo pajisje shtëpiake.

Ndryshe paraqitet situata për ata që duan të blejnë një banesë. Nevojat për kredi për shtëpi dhe perceptimi i bankave për zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme kanë ndikuar në uljen e kërkesës për kredi hipotekare gjatë këtij tremujori.

Por çfarë ndodh me kushtet e marrjes së një kredie?

Raporti tregon se bankat nuk kanë ndryshuar standardet e kreditimit për individët. Pra, kriteret bazë kanë mbetur përgjithësisht të njëjta. Megjithatë, ka një zhvillim që duhet pasur parasysh, shkalla e miratimit të kredive ka rënë.

Një nga arsyet kryesore është historiku i kredisë. Kjo do të thotë se mënyra si një qytetar ka shlyer kreditë e mëparshme mund të ndikojë drejtpërdrejt në vendimin e bankës. Nga ana tjetër, të ardhurat e disponueshme dhe gjendja e kredive ekzistuese mund të ndihmojnë në rritjen e mundësisë për miratim.

Po çfarë pritet në muajt e ardhshëm?

Bankat presin që kërkesa për kredi nga individët të vijojë të jetë e lartë në tremujorin e fundit të vitit, si për konsum, ashtu edhe për blerjen e banesave. Ndërkohë, nuk parashikohen ndryshime të rëndësishme në standardet e kreditimit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat