Analiza Postuar më 20 October 2026, 11:24

Inovacioni në fokus? 32% e bizneseve shqiptare synojnë të zhvillojnë produkte dhe shërbime të reja

Nga Eldiona Serani

Inovacioni në fokus? 32% e bizneseve shqiptare synojnë të

Të dhënat e Barometrit të Ballkanit tregojnë se vetëm rreth një e treta e bizneseve në Shqipëri kanë gjasa të investojnë fondet e tyre në kërkim dhe zhvillim gjatë tre viteve të ardhshme, ndërsa Kosova kryeson rajonin me një orientim dukshëm më të lartë drejt inovacionit.

Sipas anketës së Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), 32% e bizneseve shqiptare e konsiderojnë të mundshme investimin në kërkim dhe zhvillim (R&D), me synimin për të krijuar produkte ose shërbime të reja, apo për të përmirësuar ndjeshëm ato ekzistuese. Në të kundërt, 53% e bizneseve në vend shprehen se nuk ka gjasa të ndërmarrin investime të tilla, ndërsa 13% mbeten neutralë.

Shifrat tregojnë se gatishmëria e bizneseve shqiptare për të investuar në inovacion mbetet e kufizuar, në një kohë kur zhvillimi i produkteve të reja dhe përmirësimi i shërbimeve janë faktorë të rëndësishëm për rritjen e konkurrueshmërisë dhe zgjerimin në tregje të reja.

Krahasimi me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor nxjerr në pah diferenca të konsiderueshme. Kosova kryeson me 72% të bizneseve që shprehen të gatshme të investojnë në kërkim dhe zhvillim, e ndjekur nga Serbia me 37%. Mesatarja rajonale për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor është 34%.

Në vendet e tjera të rajonit, përqindja e bizneseve që planifikojnë investime të tilla është 25% në Mal të Zi, 24% në Maqedoninë e Veriut dhe 16% në Bosnjë-Hercegovinë.Të dhënat sugjerojnë se bizneset shqiptare kanë ende hapësirë për të forcuar investimet në inovacion, veçanërisht në zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve që mund t'i ndihmojnë të përballojnë më mirë konkurrencën. Ndërsa interesi për kërkim dhe zhvillim ndryshon ndjeshëm nga një vend në tjetrin, rezultatet e anketës evidentojnë sfidën e kthimit të inovacionit në një prioritet më të madh për sipërmarrjen shqiptare.

Inovacioni në fokus? 32% e bizneseve shqiptare synojnë të

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat