Rajoni Postuar më 20 October 2026, 10:54

Bumi i blerjeve online - Maqedonia Veriut shënon rekord. 530 milionë euro shpenzime në gjashtë muaj

Nga Edel Strazimiri

Bumi i blerjeve online - Maqedonia Veriut shënon rekord. 530

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut kanë shpenzuar mbi 530 milionë euro për blerje online gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2026. Sipas të dhënave të Bankës Popullore, të analizuara nga Asociacioni për Tregti Elektronike të Maqedonisë, vlera e transaksioneve arriti në 530,3 milionë euro, me një rritje prej 14,1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Nga kjo shumë, 302,4 milionë euro janë shpenzuar te tregtarët vendas në internet, ndërsa 227,9 milionë euro kanë përfunduar te dyqanet e huaja. Shifrat tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e parave të shpenzuara online vazhdon të shkojë jashtë vendit.

Gjatë kësaj periudhe janë kryer gjithsej 15,3 milionë pagesa online, ose 10,1% më shumë se një vit më parë. Rreth 8 milionë transaksione janë realizuar te tregtarët vendas, ndërsa 6,45 milionë te tregtarët e huaj. Vlera mesatare e një blerjeje online ishte 34,6 euro, ndërsa për blerjet nga jashtë arriti në 35,3 euro.

Zgjerimi i tregtisë elektronike pasqyrohet edhe te numri i dyqaneve online. Në fund të qershorit, në Maqedoninë e Veriut ishin regjistruar 2.408 pika shitjeje në internet, 168 më shumë se në fund të vitit 2025.

Megjithëse tregu vijon të rritet, ritmi i zgjerimit është më i moderuar krahasuar me vitin e kaluar. Sfida kryesore për bizneset vendase mbetet bindja e konsumatorëve që të blejnë më shumë në platformat lokale, në mënyrë që një pjesë më e madhe e parave të qëndrojë në ekonominë vendase.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat