Analiza Postuar më 20 October 2026, 10:26

Nafta, SHBA merr kryesimin/ Importet në Shqipëri, Arabia Saudite humbet terren

Nga Xhorxhina Deda

Nafta, SHBA merr kryesimin/ Importet në Shqipëri, Arabia Saudite

Pas nisjes së konfliktit në Lindjen e Mesme, Shqipëria po paguan dukshëm më shumë për importet e lëndëve djegëse minerale, vajrave minerale dhe produkteve të distilimit, ndërsa sasia e blerë nga jashtë është rritur shumë më pak. Që nga marsi, muaji i parë pas nisjes së konfliktit më 28 shkurt, Shqipëria ka importuar vetëm 4.9% më shumë në peshë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, por ka paguar 25.3% më shumë. Në mars-shtator 2026 u importuan rreth 765 milionë kg, me vlerë 66.4 miliardë lekë, kundrejt 729.5 milionë kg dhe 53 miliardë lekëve një vit më parë. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë e ka cilësuar konfliktin si ndërprerjen më të madhe të furnizimit në historinë e tregut global të naftës. 

Diferenca mes sasisë dhe vlerës është sinjali më i fortë i kësaj periudhe. Shqipëria nuk ka rritur ndjeshëm volumin e importuar, por shpenzimi për të është zgjeruar me ritëm shumë më të lartë. 

Shtatori e bën edhe më të dukshëm këtë kontrast. Në krahasim me shtatorin 2025, sasia e importuar ra me rreth 6.3%, ndërsa vlera u rrit me 27.4%, duke arritur në rreth 11.6 miliardë lekë. Një muaj më parë, në gusht, fatura kishte arritur në rreth 12 miliardë lekë, niveli më i lartë i periudhës së analizuar.

Pas konfliktit ka ndryshuar edhe harta e furnizuesve. SHBA është shfaqur si furnizuesi dominues në muajt e fundit. Vetëm në korrik-shtator importet arritën rreth 11.1 miliardë lekë, me 4.28 miliardë në gusht dhe 3.33 miliardë në shtator. 

Italia mori kryesimin në maj dhe qershor, me mbi 3.3 miliardë lekë në secilin muaj, ndërsa Spanja u ngjit fort në shtator, në rreth 2.33 miliardë lekë. 

Në të kundërt, Arabia Saudite dominoi menjëherë pas shpërthimit të krizës, me rreth 3 miliardë lekë në mars dhe 3.45 miliardë në prill, por më pas prania e saj u tkurr ndjeshëm. Në korrik-shtator importet prej saj ishin thuajse minimale. Edhe furnizimi nga Gjiri u bë më i luhatshëm. Emiratet u rikthyen fort vetëm në gusht, ndërsa Kuvajti regjistroi një dërgesë të madhe në korrik. Mes furnizuesve kryesorë, Greqia rezulton me vlerën mesatare më të lartë për kilogram të importeve, e ndjekur nga Arabia Saudite dhe SHBA. Megjithatë, diferencat ndikohen edhe nga lloji i produkteve të importuara nga secili treg.

Nafta, SHBA merr kryesimin/ Importet në Shqipëri, Arabia SauditeNafta, SHBA merr kryesimin/ Importet në Shqipëri, Arabia Saudite

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat