Bota Postuar më 20 October 2026, 11:15

Nafta mbi 110 dollarë/fuçi - Tensionet në Lindjen e Mesme rrisin kostot e energjisë dhe tronditin tregjet financiare

Nga Edel Strazimiri

Nafta mbi 110 dollarë/fuçi - Tensionet në Lindjen e Mesme

Çmimi i naftës bruto Brent ka kaluar në rreth 110 dollarë për fuçi, duke qëndruar në nivelin më të lartë të pesë muajve të fundit. Pasiguria për furnizimet energjetike në Lindjen e Mesme, mes luftës me Iranin dhe rrezikut të sulmeve të reja në Ngushticën e Hormuzit, po mban çmimet e naftës në nivele të larta.

Edhe nafta amerikane WTI tregtohej mbi 104 dollarë për fuçi për kontratat me dorëzim muajin e ardhshëm. Megjithëse flukset e naftës bruto nga Gjiri Persik janë rikuperuar në rreth 80% të nivelit para luftës, sipas sekretarit amerikan të Energjisë, furnizimet me produkte të rafinuara vazhdojnë të përballen me më shumë kufizime.

Presioni mbi çmimet shtohet edhe nga kostot rekord të transportit detar. Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë mundësinë e lejimit të shitjes së cisternave të sanksionuara, me synimin për të rritur kapacitetet e transportit dhe për të ulur kostot e dërgesave. Megjithatë, ende nuk dihet se sa shpejt një masë e tillë mund të ndikojë në treg.

Shtrenjtimi nuk kufizohet vetëm te nafta. Çmimet e gazit natyror të lëngshëm në Azi janë rritur në nivelin më të lartë që nga dhjetori i vitit 2022, ndërsa çmimet e gazit në Europë mbeten pranë niveleve më të larta të viteve të fundit. Shqetësimet për sigurinë e transportit energjetik u shtuan edhe pas raportimeve se një cisternë gazi të lëngshëm u sulmua pranë brigjeve të Jemenit.

Ndërkohë, bursat europiane e nisën të martën me humbje të lehta, pas rënieve të një dite më parë. Edhe tregjet aziatike u goditën, veçanërisht aksionet e kompanive të teknologjisë, mes shqetësimeve për kostot e larta të investimeve në inteligjencën artificiale dhe kthimin e tyre financiar.

Investitorët po presin gjithashtu rezultatet financiare të kompanive të mëdha, përfshirë Meta-n dhe Tesla-n, që publikojnë të dhënat këtë javë. Në tregjet financiare, vëmendja mbetet te zhvillimet gjeopolitike, çmimet e energjisë dhe ndikimi i normave të interesit mbi ekonominë globale.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat