Europa Postuar më 20 October 2026, 10:58

Gjermania mbyll dyert? - Kuota për punëtorët e Ballkanit përgjysmohet nga 2027

Nga Edel Strazimiri

Gjermania mbyll dyert? - Kuota për punëtorët e Ballkanit

Gjermania planifikon të përgjysmojë kuotën vjetore për punësimin e qytetarëve nga Ballkani Perëndimor, duke e ulur nga 50 mijë në 25 mijë persona, duke nisur nga janari i vitit 2027. Ndryshimi prek gjashtë vendet e rajonit që përfitojnë nga skema e posaçme e punësimit në shtetin gjerman.

Sipas Agjencisë Federale të Punësimit, në shtator të vitit 2026, rreth 546 mijë shtetas të Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut ishin të punësuar në Gjermani dhe paguanin kontribute të sigurimeve shoqërore. Numri i tyre është rritur me rreth 170 mijë gjatë pesë viteve të fundit.

Rregullorja për Ballkanin Perëndimor, në fuqi që prej vitit 2016, u mundëson qytetarëve të këtyre vendeve të punojnë në Gjermani edhe në profesione që nuk kërkojnë domosdoshmërisht kualifikim formal. Megjithatë, kuota aktuale nuk ka mjaftuar për të përballuar të gjitha kërkesat. Ajo u tejkalua që në vitin 2025 dhe pritet të shterohet sërish përpara fundit të vitit 2026.

Agjencia Federale e Punësimit kërkon që kuota të mbetet në nivelin aktual prej 50 mijë personash. Vanessa Ahuja, anëtare e bordit të institucionit, thekson se skema ka ndihmuar integrimin e punëtorëve nga Ballkani në tregun gjerman. Sipas saj, 53% e punëtorëve të përfshirë në këtë program, rreth 287 mijë persona, janë të punësuar në pozicione që kërkojnë aftësi profesionale, ndërsa rreth 45% punojnë në profesione ku Gjermania ka mungesë të fuqisë punëtore.

Përgjysmimi i kuotës mund ta vështirësojë rekrutimin për kompanitë gjermane, veçanërisht në ndërtim, transport, logjistikë, gastronomi dhe kujdesin shëndetësor. Megjithatë, masa e planifikuar nuk nënkupton ndalimin e punësimit të qytetarëve të  vendeve të rajonit, pasi do të vijojnë të ekzistojnë edhe rrugë të tjera ligjore për migrimin për punë.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat