Lekët “ndajnë” shqiptarët/ Të pasurit kanë gati 5 herë më shumë të ardhura se të varfërit. Jemi mbi BE

Në Shqipëri, 20% e popullsisë me të ardhurat më të larta përfiton pothuajse pesë herë më shumë sesa 20% me të ardhurat më të ulëta. Edhe pse hendeku ekonomik mes dy grupeve është ngushtuar ndjeshëm gjatë dekadës së fundit, viti 2025 ka sjellë një kthesë të lehtë, duke ndërprerë prirjen e vazhdueshme të uljes së pabarazisë.
Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, të analizuara në krahasim me ato të Eurostat, raporti i të ardhurave mes 20% më të pasur dhe 20% më të varfër të popullsisë shqiptare arriti në 4.83 herë në vitin 2025,
Ky tregues, mat sa herë më të mëdha janë të ardhurat totale të grupit më të pasur krahasuar me grupin më të varfër, pasi merren parasysh taksat, transfertat sociale dhe përbërja e familjeve. Për ta kuptuar më thjeshtë, nëse 20% e popullsisë më të varfër do të siguronte së bashku 100 lekë të ardhura, grupi i 20% më të pasurve do të siguronte 483 lekë.
Nga 7.5 në 4.83 herë, si ndryshoi pabarazia në nëntë vite?
Të dhënat e INSTAT të analizuara nga "Scan Intel" tregojnë se Shqipëria ka bërë përparim të konsiderueshëm në ngushtimin e hendekut të të ardhurave ndër vite. Në vitin 2017, raporti ishte 7.5 herë, që do të thotë se të ardhurat e grupit më të pasur ishin shtatë herë e gjysmë më të larta se ato të grupit më të varfër.
Në vitet pasuese, diferenca ka ardhur duke u zvogëluar, duke zbritur në 6.4 herë në vitin 2019, në 5.7 herë në vitin 2021 dhe në 5 herë në vitin 2023. Në vitin 2024, treguesi arriti në 4.79 herë, nivelin më të ulët të regjistruar në periudhën 2017-2025.
Shqipëria mbi mesataren e BE-së, por larg vendeve me hendekun më të madh
"Scan Intel" nisur nga këto shifra ka kryqëzuar të dhënat e INSTAT me ato të EUROSTAT për të parë diferencat. Krahasimi me vendet europiane tregon se pabarazia e të ardhurave nuk është vetëm një problem shqiptar. Megjithatë, diferencat ndërmjet vendeve janë të konsiderueshme.
Në vitin 2025, raporti mes të ardhurave të 20% më të pasur dhe 20% më të varfër ishte 4.62 herë në Bashkimin Europian, nga 4.66 herë një vit më parë. Pra, ndërsa në Shqipëri hendeku u zgjerua lehtë, në nivel të BE-së u regjistrua një ngushtim i vogël.
Pabarazia më e lartë ndër vendet e Bashkimit Europian regjistrohet në Bullgari, ku grupi më i pasur siguron 6.94 herë të ardhurat e grupit më të varfër. Pas saj renditen Letonia, me 6.68 herë, dhe Lituania, me 6.54 herë. Edhe disa prej ekonomive më të mëdha europiane kanë diferenca më të theksuara se Shqipëria. Në Spanjë raporti arrin në 5.24 herë, në Greqi në 5.17 herë dhe në Itali në 5.13 herë. Ndërkohë, Shqipëria ndodhet shumë pranë Portugalisë, ku raporti është 4.86 herë, dhe Kroacisë, ku arrin në 4.78 herë.
Në skajin tjetër të renditjes europiane qëndron Belgjika, me raportin më të ulët, prej 3.25 herësh. Pas saj vijnë Sllovakia dhe Çekia, përkatësisht me 3.27 dhe 3.34 herë. Kjo do të thotë se hendeku relativ i të ardhurave në Bullgari është më shumë se dyfishi i atij në Belgjikë, duke evidentuar diferencat e mëdha në mënyrën e shpërndarjes së të ardhurave brenda vendeve europiane.
Pabarazia më e lartë te popullsia nën 65 vjeç
Një tjetër element interesant i të dhënave të INSTAT lidhet me diferencat e të ardhurave sipas grupmoshave. Për individët nën 65 vjeç, raporti ndërmjet më të pasurve dhe më të varfërve arriti në 5.16 herë gjatë vitit 2025, nga 5.05 herë në vitin 2024. Në të kundërt, për popullsinë mbi 65 vjeç, raporti ishte 3.52 herë, duke shënuar një rënie minimale nga 3.53 herë një vit më parë.
Kjo tregon se pabarazia e të ardhurave është dukshëm më e theksuar brenda popullsisë në moshë më të re sesa brenda grupit të të moshuarve. Megjithatë, një raport më i ulët nuk nënkupton domosdoshmërisht të ardhura më të larta apo kushte më të mira jetese për pensionistët, por vetëm diferenca më të vogla ndërmjet individëve të së njëjtës grupmoshë.
Rritja ekonomike nuk mjafton për të ulur pabarazinë
Megjithëse Shqipëria ka shënuar një ngushtim të rëndësishëm të hendekut të të ardhurave krahasuar me vitin 2017, përmirësimi nuk ka qenë i mjaftueshëm për ta vendosur vendin nën mesataren europiane.
Të dhënat e vitit 2025 tregojnë se rritja e të ardhurave dhe ulja e pabarazisë nuk ecin domosdoshmërisht me të njëjtin ritëm.
Ndërsa të ardhurat mesatare të popullsisë shqiptare janë rritur, përfitimet e kësaj rritjeje nuk janë shpërndarë në mënyrë të barabartë ndërmjet shtresave të shoqërisë. Në të njëjtën kohë, 19% e popullsisë vijon të jetë në rrezik për varfëri relative. Përvoja europiane tregon se diferencat e të ardhurave ndryshojnë ndjeshëm nga një vend në tjetrin dhe ndikohen, ndër të tjera, nga tregu i punës, struktura e pagave, sistemi i taksave dhe transfertat sociale.
Për Shqipërinë, sfida nuk është vetëm vazhdimi i rritjes ekonomike, por edhe krijimi i kushteve që të ardhurat e shtresave me nivelin më të ulët ekonomik të rriten mjaftueshëm për të ngushtuar hendekun me pjesën tjetër të popullsisë.
Dëme në Postën Shqiptare - Ibrahimaj: Të moshuarit mund t’i marrin pensionet në filialet e tjera
Dëmtimet në pronën publike gjatë protestave kanë prekur edhe shërbimet e Postës Shqiptare, ku çdo ditë qytetarët kryejnë pagesa dhe pensionistët tërheqin të......
Gushti solli më shumë turistë/ Vizitorët e huaj u rritën me 10.7%, kryesuan polakët
Turizmi në Shqipëri vijoi të rritet edhe në gusht, me numrin e vizitorëve të akomoduar në strukturat turistike që u zgjerua me 10.3% krahasuar me të njëjtin......
Protesta, kush paguan dëmet? - Si ndahet fatura midis publikut, sigurimeve dhe bizneseve
Protesta e dhunshme në Tiranë ka shkaktuar dhe po vijon të shkaktojë dëme në infrastrukturën publike dhe biznese, duke lënë pas një faturë ekonomike të......
“Frenojnë” makinat elektrike - Shitjet globale ranë 2% në shtator, pas gjashtë muajsh rritjeje radhazi
Shitjet globale të makinave elektrike ranë me 2% në shtator, duke ndërprerë një periudhë gjashtëmujore rritjeje. Sipas të dhënave të kompanisë kërkimore......
Gjermania ndërhyn në Ballkan - Berlini i kërkon Zagrebit të zgjidhë mosmarrëveshjet me Malin e Zi për anëtarësim në BE
Gjermania po ushtron presion ndaj Kroacisë që të zgjidhë mosmarrëveshjet dypalëshe me Malin e Zi, të cilat rrezikojnë të pengojnë procesin e anëtarësimit të......
Qiraja “gëlltit” pagat - Pas faturave, familjeve europiane u mbeten nga 253 euro në Lisbonë, deri mbi 9 mijë në Zyrih
Sa para i mbeten një çifti në fund të muajit, pasi paguan qiranë? Në shumë qytete evropiane, përgjigjja varet jo vetëm nga paga, por edhe nga kostoja e......
Italia, kaos në fluturime - Defekti në rrjetin e kontrollit ajror shkakton vonesa dhe anulime
Një defekt në rrjetin e transmetimit të të dhënave që mbështet kontrollin e trafikut ajror ka shkaktuar vonesa të shumta dhe anulime fluturimesh në të gjithë......
Porti i Durrësit rrit aktivitetin/ 8-mujori, zgjerohet me 47% volumi i kontejnerëve
Porti i Durrësit vijon të regjistrojë rritje të aktivitetit tregtar dhe të volumeve të përpunimit. Sipas të dhënave të publikuara nga Autoriteti Portual......

