Bota Postuar më 16 October 2026, 10:47

“Frenojnë” makinat elektrike - Shitjet globale ranë 2% në shtator, pas gjashtë muajsh rritjeje radhazi

Nga Edel Strazimiri

“Frenojnë” makinat elektrike - Shitjet globale ranë 2%

Shitjet globale të makinave elektrike ranë me 2% në shtator, duke ndërprerë një periudhë gjashtëmujore rritjeje. Sipas të dhënave të kompanisë kërkimore britanike Benchmark Mineral Intelligence, rënia në Amerikën e Veriut dhe Kinë e tejkaloi rritjen rekord të regjistruar në Europë.

Në total, gjatë shtatorit u shitën 2.15 milionë automjete elektrike në mbarë botën. Megjithatë, për nëntë muajt e parë të vitit, shitjet arritën në 15.5 milionë njësi, 3% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Europa shënoi muajin më të mirë të regjistruar ndonjëherë, me afro 600 mijë automjete elektrike të shitura, 10% më shumë se rekordi i mëparshëm, i vendosur në qershor.

Në të kundërt, shitjet në Amerikën e Veriut ranë me 44%, duke shënuar rënien më të fortë mujore të këtij viti. Një faktor ndikues është përfundimi i lehtësive fiskale federale për blerësit e makinave elektrike në SHBA, në fund të shtatorit 2025.

Edhe Kina, tregu më i madh i automjeteve elektrike, regjistroi rënie prej 18%, me 1.11 milionë makina të shitura. Përballë dobësimit të kërkesës së brendshme, prodhuesit kinezë po mbështeten gjithnjë e më shumë te eksportet.

Të dhënat tregojnë një ecuri të ndryshme mes tregjeve kryesore, ku Europa përfiton nga kërkesa e konsumatorëve dhe mbështetja politike, ndërsa Kina dhe Amerika e Veriut përballen me vështirësi.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat