Protestat, Kryetari i Kuvendit Peleshi apel për dialog dhe përmbajtje
Pas apelit të kreut të shtetit, edhe Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka bërë thirrje për qetësi, përmbajtje dhe dialog mes palëve, pas përshkallëzimit të protestave dhe dëmtimeve të institucioneve shtetërore, pronës publike dhe pasurisë private.
Përmes një deklarate publike, Peleshi shprehu shqetësimin për situatën e sigurisë në vend, duke theksuar nevojën për përgjegjshmëri nga institucionet, forcat politike dhe qytetarët.
“Sot është dita kur çdo shtetar, çdo parti politike, çdo organizatë jofitimprurëse, përfaqësuesit e elitës akademike dhe të biznesit, dhe çdo qytetar i denjë i këtij vendi duhet t’i thërrasë arsyes dhe instinktit tonë kombëtar për paqe”, deklaroi Peleshi.
Kreu i Kuvendit theksoi se studentët dhe të rinjtë kanë të drejtë të protestojnë, të shprehin pakënaqësitë dhe të kërkojnë përmirësime, duke nënvizuar se aktet e dhunës nuk duhet t'u atribuohen atyre.
“Ata kanë të drejtë të kërkojnë prej nesh më shumë dhe më mirë. Kanë të drejtë të dëgjohen më shumë. Kanë të drejtë të ulen më shpesh në tryezat e përbashkëta që i fituan vetë duke ngritur zërin, si Tryeza e Paktit për Universitetin”, u shpreh Peleshi.
Në deklaratën e tij, Kryetari i Kuvendit e lidhi situatën edhe me procesin e integrimit europian, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit dhe shmangies së veprimeve që mund të pengojnë përparimin e vendit.
“Shqipëria ka pritur shumë. Shqipëria ka punuar shumë. Shqipëria e meriton të hyjë në BE si e barabartë”, theksoi ai.
Në përfundim, Peleshi u bëri thirrje të gjitha palëve të kapërcejnë dallimet politike dhe të angazhohen në dialog për të ardhmen e vendit.
“Të ulemi. Të flasim. Të diskutojmë dhe të debatojmë për të ardhmen, pa harruar kurrë se, mbi të gjitha, jemi të gjithë shqiptarë”, përfundoi ai.
Deklarata e plotë e kreut të Kuvendit:
Çmoj si detyrim shtetëror dhe kombëtar të ndaj me opinionin publik një sqarim për ditën e sotme, ditë seance plenare për Kuvendin e Shqipërisë, si dhe një qëndrim për situatën që po kalon vendi.
Me përgjegjësinë për të garantuar një seancë të qetë, ku çdo deputet të ketë hapësirën kushtetuese dhe ligjore për të ushtruar detyrën e tij shtetërore, përballë një situate të paprecedentë dhune ndaj institucioneve të shtetit, pronës publike dhe pasurisë private të qytetarëve; në dritën e të dhënave shqetësuese nga institucionet ligjzbatuese për skenarë të rrezikshëm që po cenojnë rëndë rendin, sigurinë dhe qetësinë publike në vendin tonë dhe për të mos dhënë asnjë shkas për provokim, vendosa ta shtyj me një javë seancën plenare të planifikuar për sot.
Sot është dita kur çdo shtetar, çdo parti politike, çdo organizatë jofitimprurëse, përfaqësuesit e elitës akademike dhe të biznesit, dhe çdo qytetar i denjë i këtij vendi duhet t’i thërrasë arsyes dhe instinktit tonë kombëtar për paqe.
Jetojmë në demokraci. Kemi orientime politike të ndryshme. Kemi interesa të ndryshme. Grindemi, zemërohemi, protestojmë. Por mbi çdo ndryshim qëndron një interes i përbashkët kombëtar, një tokë e përbashkët: Shqipëria jonë.
Studentët, nxënësit dhe fëmijët tanë do ta trashëgojnë këtë vend, e bashkë me të edhe përgjegjësinë për ta bërë më të mirë.
Ata kanë të drejtë të kërkojnë prej nesh më shumë dhe më mirë.
Kanë të drejtë të dëgjohen më shumë.
Kanë të drejtë të ulen më shpesh në tryezat e përbashkëta që i fituan vetë duke ngritur zërin, si Tryeza e Paktit për Universitetin.
Studentët tanë do të jenë shqiptarët e parë që do të dalin në jetë si europianë, pjesë e familjes së madhe të Bashkimit Europian.
Prandaj ngjarjet e fundit të dhunës, djegieve dhe grabitjeve, që qëllimisht po u vishen atyre, janë një dëm i madh për të gjithë ne.
Shqipëria ka pritur shumë.
Shqipëria ka punuar shumë.
Shqipëria e meriton të hyjë në BE si e barabartë.
Asgjë nuk është e garantuar, sepse ky proces nuk është vetëm në duart tona dhe jo të gjithë janë miq e dashamirës. Kjo vlen aq më tepër në një kohë gjeopolitike plot tensione dhe lojëra influence, veçanërisht në rajonin tonë të trazuar të Ballkanit Perëndimor.
Ky proces mund të pengohet nga forca malinje, por kurrsesi nuk duhet të pengohet, as të prishet, nga vetë ne, shqiptarët modernë të shekullit XXI.
Ndaj, si Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, si qytetar dhe si student i Dhjetorit ‘90, bëj thirrje për përmbajtje dhe reflektim.
Shoqëria jonë duhet ta mbajë frymën dhe të reagojë njëzëri për t’i mbajtur larg dhunës të miturit dhe nxënësit e gjimnazeve.
Ata nuk duhet të ushqehen me urrejtje. Ata nuk duhet të formohen nga dhuna e rrugës. Ata nuk duhet të lihen në duart e forcave të errëta, me qëllime aspak shqiptare.
Këtu duhet të jemi të gjithë bashkë, pa dallime politike: demokratë, socialistë apo të paangazhuar. Fëmijët janë interesi më i lartë i një vendi. Ashtu siç edukohen sot, ashtu do të jetë Shqipëria nesër.
Edhe një herë, t’i thërrasim arsyes. Të tregojmë se fatin e vendit tonë e mbajmë në duart tona, përkrah aleatëve tanë strategjikë, me idealin e shqiptarizmës së Rilindasve në zemër.
Të ulemi. Të flasim. Të diskutojmë dhe të debatojmë për të ardhmen, pa harruar kurrë se, mbi të gjitha, jemi të gjithë shqiptarë.
Apeli i Aleancës Kosovare të Bizneseve: Mbroni bizneset, të shqyrtohet gjendja e jashtëzakonshme
Situata e krijuar nga protestat në Shqipëri ka sjellë reagimin e Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), e cila u ka kërkuar institucioneve shqiptare marrjen e......
Protestat, Presidenti Begaj bën apel për maturi. Ofrohet për rol ndërmjetësues
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka sinjalizuar gatishmërinë për të marrë një rol ndërmjetësues në situatën e krijuar nga protestat e ditëve të fundit,......
Tirana zgjeron shtigjet turistike - 35 km itinerare për Baldushkun dhe Shëngjergjin
Dy zona natyrore në territorin e Bashkisë Tiranë pritet të përfitojnë nga investimet për përmirësimin e infrastrukturës turistike. Agjencia e Parqeve dhe......
“Mos na dëmtoni biznesin “-Tregtarët, apel nga vitrinat e dyqaneve
“Jemi me ju, mos na dëmtoni biznesin”. Ky është mesazhi që disa biznese të vogla në Tiranë kanë zgjedhur t'u përcjellin protestuesve, në një kohë kur......
Sulmet ndaj Arabisë Saudite - FMN: Goditja ndaj selisë së Aramco-s rrit shqetësimet për tregjet e naftës dhe ekonominë globale
Sulmi ndaj selisë së gjigantit të naftës Aramco në Arabinë Saudite ka shtuar shqetësimet për tregjet globale të energjisë dhe ekonominë botërore. Çmimi i......
Anthropic synon rekordin - Gara me OpenAI dhe planet për dalje në bursë vënë në provë gjigantin e inteligjencës artificiale
Anthropic, kompania amerikane që zhvillon modelet e inteligjencës artificiale Claude, ka rritur të ardhurat me rreth 46%, duke arritur në 16.8 miliardë......
Konkurrencë për mbijetesë - Shitjet në rënie në Kinë i shtyjnë prodhuesit të kërkojnë rritje në Evropë
Evropa po kthehet në një treg vendimtar për të ardhmen e prodhuesve kinezë të makinave. Me shitjet në rënie në vend dhe konkurrencën gjithnjë e më të fortë,......
Gati kamerat e votimit - KQZ përgatit monitorimin për vendoret 2027
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur përgatitjet teknike për zgjedhjet vendore të vitit 2027, duke hapur një tender me fond limit prej 34.8 milionë lekësh,......

